Die. Nën 24th, 2024

Institucioneve u kërkohet që të punësojnë femrat me aftësi të kufizuara

Organizata “You can do” ka bërë thirrje ndaj institucioneve për vetëdijesimin që femrat me aftësi të kufizuara të kenë mundësi punësimi dhe trajtimi si të gjithë të tjerët. Nga kjo organizatë thonë se të njëjtat janë të diskriminuara nga shoqëria dhe se as një përqind prej tyre nuk janë të punësuara.

Saranda Krasniqi nga organizata “You can do”, ka bërë thirrje ndaj institucioneve që të mos neglizhojë këta persona dhe që të njëjtëve t’iu mundësohet punësimi.

“Vajzat dhe gratë me nevoja të veçanta janë pjesë e shoqërisë sonë andaj duhet të trajtohen si të tilla, të kenë mundësi të barabarta në edukim, punë e çdo sferë tjetër jetësore. Askush nga ne nuk është perfekt dhe askush nga ne nuk e zgjedh si lind, paragjykimet dhe bullizimet janë të papranueshme në çfarëdo rrethana qofshin ato… Ju bëj thirrje të gjitha institucioneve publike dhe atyre private që t’i pranojnë ato ashtu siç janë sepse vërtet ato vlejnë”, tha ajo.

Yllka Berisha, me aftësi të kufizuar ishte pjesë e kësaj thirrje. Edhe pse e shkolluar ajo thotë se nuk pati mundësi punësimi.

“Po protestojmë në formë të qetë paqësore që të mund ta fuqizojmë ligjin e barazisë gjinore, por edhe ligjin për femrat me nevoja të veçanta… Ju referohemi të gjitha institucioneve që të jenë krahu ynë edhe pse jo të jemi nëpër vende, pozita kyçe… Unë nuk jam e punësuar, nuk kam pasur mundësi si femër me nevoja të veçanta me i dhanë imputet e mia apo me i tregu vlerat e mia se unë shkollimin e kam, por fatkeqësisht nuk kam pasur mundësi. Punësimi nuk është i duhuri për ne, nuk ka, për momentin jemi të papunë. Po presim ndoshta në të ardhmen të trajtohemi në mënyrë të barabartë edhe t’i thyejmë ato tabu, barriera”, shprehet Berisha.

Edhe Leonora Shahini-Bajraktari i është bashkangjitur thirrjes duke treguar se ka kohë që ajo merret me persona më aftësi të kufizuara dhe se të njëjtit janë dyfish më të diskriminuar.

“Është një kohë e gjatë që merrem me persona me aftësi të kufizuar edhe duke e ditë në Republikën e Kosovës që gratë më të vërtet të gjitha gratë janë të diskriminuar, por sidomos gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuar janë dyfish të diskriminuar në shoqërinë tonë…Asnjë për qind të grave më aftësi të kufizuar nuk janë të punësuara”, u shpreh ajo.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *