Qeveria e Kosovës gjatë vitit të kaluar kishte marrë vendim që të themeloi një thesar të buxhetit për investime nga diaspora. Ministria e Financave kishte nënshkruar një marrëveshje me BQK’në dhe gjashtë banka të tjera komerciale për emetimin e bonove që do t’iu dedikoheshin mërgimtarëve. Periudha e aplikimit ishte një mujore, ku nga shuma e ofruar për shitje që ishte 20 milionë euro, diaspora bleu bono në vlerë 10.4 milionë.
Thirrja për blerjen e këtyre bonove ishte për ta ndihmuar zhvillimin e vendit. Megjithatë, njohësit e ekonomisë dhe organizatat joqeveritare kanë theksuar disa mangësi gjatë këtij procesi.
Profesoresha e Ekonomisë, Alblunë Kastrati ka thënë për KosovaPress, se në korrik të viti të kaluar në periudhën kohore që e kishte hapur Ministria e Financave për të investuar në këto bono, interesimi ka qenë i vogël ku nga 20 milionë euro bono, sa kanë qenë të parashikuara të blihen, janë blerë vetëm 10.4 milionë euro.
“Diaspora jonë në mënyrë konsistente ka dërguar kërkesa apo remitanca siç i quajmë vitin e kaluar. Vlera e remitancave ka arritur me shku në vlerë rekorde prej 1.15 miliard, vlera më e lartë historike ndonjëherë, por duhet të kemi parasysh që remitancat nuk janë investime sepse remitancat shkojnë për konsum bazik, ushqim, veshmbathje, shkollim, shërbime mjekësore, dhe si të tilla mundë të shkojnë prapë aty dhe ne nuk mund të orientohemi kah investimet. Ideja e bonove të thesarit ka qenë që të kanalizohen mandej kursimet e emigrantëve tanë, diasporës tanë në investime, dhe atë të orientohen drejtë investimeve në Kosovë. Ai raundi i parë i hapjes që ka qenë vitin e kaluar, emetimi i parë prej 21 korrik deri 20 gusht 2021, si duket ka arritur vlerën prej 10.4 milionë nga 20 milionë borxh të emëtuar, të paraparë nga Ministria e Financave që megjithatë mendohet të jetë një vlerë relativisht e ulët, megjithëse qëllimi është i mirë që ta kthejmë diasporën dhe investimet e diasporës, meqë kemi emigrantë që janë me dekada që janë mirë të themeluar jashtë dhe mund t’i sjellin paratë e tyre këtu, jo në formë të remitancave por në formë të investimeve” tha Kastrati.
Lirim Krasniqi nga organizata joqeveritare “Germin”, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë e qartë se ku duhet të investohen këto mjete, ani pse margjina e fitimit është bërë e ditur, derisa norma e interesit ka qenë zero për mërgimtarët.
“Kjo ka qenë njëra nga pikat për t’u shqyrtuar ose për t’u përmirësuar në vitet e ardhshme për shkak se në momentin që krijohet një mekanizëm i tillë financiar, duhet të bëhet e qartë se ku duhet të investohen ato mjete nga ana e investitorëve në këtë rast të diasporës. Është e qartë margjina e fitimit, mirëpo nuk ka qenë e qartë se ku do të investohen këto mjete. Qeveria ka thënë se këto mjete të shkojnë në pakon për rimëkëmbje ekonomike, mirëpo konsideroj që kjo nuk duhet të jetë mënyra se si të shpenzohen këto mjete, duhet të ketë projekte zhvillimore, të cilat ndihmojnë sektorin privat por edhe gjenerojnë të ardhura dhe punësim në Kosovë, në sektorët ku ne kemi përparësi krahasuese në vendet e rajonit, prandaj menaxhimi i bonove të thesarit është punë e qeverisë dhe duhet të bëhet në mënyrë sa më eficente dhe të bëhet në sektorë produktiv në mënyrë që jo vetëm të tërhiqen më shumë investime nga diaspora por edhe të kenë impakt ato investime” deklaroi Krasniqi.
Edhe profesoresha e Ekonomisë, Alblunë Kastrati thotë se këto investime duhet të kthehen në projekte zhvillimore për të ringjallur ekonomikisht vendin.
“Qëllimi i emetimit të këtij borxhi përmes bonove të diasporës ka qenë që të nxirren ja 20 milionë euro prej diasporës tonë, d.m.th. ti merr borxh qeveria jonë, pastaj ato t’i orientoi në projekte zhvillimore që natyrisht d.m.th. nga natyra do të kemi interes në investime kapitale për shkak se pritët të kenë kthim ekonomik apo përfitim shoqërorë në ekonominë tonë” deklaroi Kastrati.
Krasniqi nga organizata joqeveritare “Germin” mendon se mungojnë mekanizmat që do t’ua mundësonte diasporës të sjellin këto investime. Ai shton se qeveria kishte dhënë një afat të shkurtër kohorë për të investuar në letrat me vlerë.
“Bonot e thesarit të diasporës janë një mekanizëm shumë i rëndësishëm financiar për të kanalizuar të gjithë kapitalin financiar të diasporës, sidomos duke pasur parasysh që diaspora jonë përbën një kapital shumë të lartë ekonomik i cili në Kosovë vjen përmes remitancave dhe deri më tani ka munguar një mekanizëm i tillë nga ana e institucioneve të Kosovës, i cili do të mundësonte që ky kapital ekonomik i diasporës të vinte në Kosovë në formë të investimeve dhe jo në formë të remitancave siç ka ndodhur derimë tash apo donacioneve. Është një nismë për t’u vlerësuar gjithsesi, Qeveria e Kosovës kur ka filluar me këtë nismë e ka bërë pak në një mënyrë të përshpejtuar duke dhënë afate shumë të shkurtra kohore edhe për informim, mirëpo edhe për investim dhe kjo ka ndikuar që të mos ketë numër shumë të madh të investimeve në këto bono”, tha Krasniqi.
Qeveria e Kosovës këtë nismë e ka filluar vitin e kaluar duke hapur një afat të caktuar kohorë për të gjithë ata nga diaspora të cilët kanë dashur të investojnë në këto bono me një normë fikse të interesit. Shuma që u ofrua për shitje është 20 milion euro, me normë interesi 1.20% dhe 2.20% net (liruar nga tatimi) për 3 vite dhe 5 vite maturitet respektivisht.
Periudha për investim ishte nga data 21 korrik-18 gusht 2021. Shuma minimale për blerje nga një person është 10,000 EUR dhe maksimale 500,000 euro.