Ish-kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ka refuzuar t’ia dorëzojë detyrën dhe t’i organizojë ceremoni të pranim-dorëzimit kryeministrit të ri, Dritan Abazoviq.
Në një shkrim në Twitter, Krivokapiq e ka cilësuar qeverinë e re si shkelëse të Kushtetutës, ndërsa ka bërë të ditur se Abazoviqit ia ka lënë një letër në kabinet.
“Duke marrë parasysh se kemi shkelje të procedurave kushtetuese dhe administrative, nuk dua të simuloj rregullsitë e t’i jap legjitimitet shkeljeve të qarta të postulateve të demokracisë e të ligjit. Në kabinet kam lënë porosinë e qartë për fazën kalimtare: Do të kalojë”, ka shkruar Krivokapiq në Twitter.
Politikani shqiptar nga Ulqini, Dritan Abazoviq u zgjodh kryeministër të enjten. Qeveria e tij pason atë të Krivokapiqit që u shkarkua më 4 shkurt. Në atë qeveri, Abazoviq ishte zëvendëskryeministër.