Në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Fahredin Merovci është deklaruar i pafajshëm për akuzën se ka keqpërdorur pozitën zyrtare.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fetije Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, gjykatësi i rastit Avni Mehmeti ia lexoi të akuzuarit të drejtat e tij, pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar.
Pasi i akuzuari u deklarua i pafajshëm, gjykatësi Mehmeti e njoftoi për të drejtën e paraqitjes së kundërshtimit të provave të caktuara në aktakuzë dhe paraqitjen e kërkesës për hudhje të aktakuzës, në afat prej 30 ditësh.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 23 maj 2024, Fahredin Merovci akuzohet se më 8 prill, 29 prill, 8 maj, 24 maj dhe 9 gusht të vitit 2023, në pozitën e zyrtarit policor kufitar në Leposaviq, me dashje e ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, me qëllim që të përfitojë personi i quajtur Namik Zoni, të cilit i ka mundësuar kalimin ilegal të kufirit dhe kontrabandimin e mallrave.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Merovci, në datat e lartcekura, në vende të pacaktuara, në cilësinë e policit kufitar në Leposaviq përmes aplikacionit Viber në telefon, e ka njoftuar personin Namik Zoni për orarin e punës së tij, për gjendjen e kufirit dhe vendndodhjen e Policisë së Kosovës.
Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari Merovci ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në vazhdim nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 77, paragrafin 1, nënparagrafin 1.2, 1.3 dhe 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.