Mar. Pri 15th, 2025

Iu vazhdohet paraburgimi Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit edhe për dy muaj të tjerë.

Vendimet e ndara janë marrë më 11 prill 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ngjashëm në të dy vendimet, trupi gjykues ka thënë se nuk ka informacione të mjaftueshme që tregojnë se Thaçi dhe Veseli mund të arratisen nga drejtësia nëse lirohen. Por, për të dy thuhet që ekziston rreziku që të pengojnë zhvillimin e procedurave të DhSK-së ndaj dëshmitarëve ose atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së.

Për Thaçin e Veselin, ZPS-ja kishte thënë se rreziqet përkatëse mund të menaxhohen në mënyre efektive vetëm në objektin e paraburgimit.

Më këtë, është pajtuar edhe trupi gjykues, i cili vlerësoi se objekti i paraburgimit është efektiv për të evituar shkeljet e mundshme të konfidencialitetit apo pengimit të drejtësisë.

Si rrjedhojë, paneli ka arritur në përfundim se vazhdimi i paraburgimit për dy të akuzuarit është i arsyeshëm.

Më 10 prill 2025, në konferencën javore u bë e ditur se Thaçit i ishte vazhduar paraburgimi edhe në rastin për pengim në administrimin e drejtësisë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *