Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, hodhi poshtë të enjten propozimin për armëpushim përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin. Propozimi u hodh poshtë disa orë pasi Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe tetë vende të tjera kërkuan një ndalim 21 ditor të luftimeve.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër organizatës terroriste Hezbollah me të gjitha forcat tona deri në fitore dhe kthimin e sigurt të banorëve tanë në shtëpitë e tyre”, tha ministri Katz në rrjetin social X.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai nuk i ishte përgjigjur propozimit të armëpushimit. Njoftimi gjithashtu thotë se Kryeministri Netanyahu ka udhëzuar ushtrinë izraelite që të vazhdojë luftën “me forcë të plotë”.
Propozimi për armëpushim u bë të mërkurën në mbrëmje përmes një deklarate ku thuhet se konflikti midis Izraelit dhe grupit militant Hezbollah “nuk duhet të lejohet dhe paraqet një rrezik të papranueshëm të një përshkallëzimi më të gjerë rajonal”.
Deklarata thotë se armëpushimi do të mundësonte fillimin e negociatave drejt një zgjidhjeje diplomatike në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bëjnë thirrje për ndalimin e përleshjeve midis Izraelit dhe grupit Hezbollah. Kjo do të krijonte mundësinë edhe për arritjen e armëpushimit midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Gazë.
Australia, Kanadaja, Gjermania, Italia, Japonia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari gjithashtu iu bashkuan thirrjes për armëpushim. Deklarata thotë se një konflikt më i gjerë rajonal “nuk është në interes të askujt, as të popullit të Izraelit dhe as të popullit të Libanit.”
Ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot i tha Këshillit të Sigurimit të mërkurën se do të shkonte në Bejrut, gjatë kësaj jave, për të punuar me palët e interesuara për një zgjidhje diplomatike.
Deklarata u bë pas disa ditë luftimesh që vlerësohen si më vdekjeprurëset në Liban që nga përfundimi i luftës civile, në fillim të viteve 1990.
Ushtria izraelite tha të enjten se kishte kryer sulme ajrore mbi 75 objektiva të Hezbollahut në Libanin jugor dhe lindor dhe se po vazhdonte të kryente sulme të reja.
Agjencia shtetërore e lajmeve të Libanit tha se një sulm izraelit pranë qytetit Baalbek goditi një ndërtesë që strehonte punëtorë sirianë, duke vrarë 23 njerëz dhe duke plagosur tetë të tjerë.
Zyrtarët libanezë të shëndetësisë thanë se sulmet izraelite vranë 50 njerëz të mërkurën, duke e çuar numrin e të vdekurve që nga e hëna në 615 njerëz, me më shumë se 2,000 të plagosur.
“Të gjitha palëve, le t’i themi me një zë të qartë: ndaloni vrasjet dhe shkatërrimin. Ulni tonin e retorikës dhe kërcënimeve. Mos shkoni drejt përshkallëzimit të mëtejshëm”, i tha të mërkurën Këshillit të Sigurimit Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres. “Një luftë e gjithanshme duhet të shmanget me çdo kusht. Padyshim se do të ishte një katastrofë.”
Mundësia e përfshirjes së trupave tokësore
Shefi i ushtrisë izraelite tha të mërkurën se trupat e tij duhet të përgatiten për një operacion ushtarak tokësor në Liban. Avionët luftarakë izraelitë bombarduan objektivat e grupit Hezbollah për të tretën ditë radhazi. Militantët e Hezbollahut lëshuan një raketë balistike që synonte të godiste selinë e agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad, pranë Tel Avivit. Raketa u rrëzua nga Izraeli.
Kryeministri i përkohshëm i Libanit udhëtoi në Nju Jork për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.
“Izraeli po shkel sovranitetin tonë duke dërguar avionë luftarakë dhe dronë mbi hapësirën tonë ajrore; duke vrarë civilët tanë, përfshirë të rinjtë, gratë dhe fëmijët; duke shkatërruar shtëpitë dhe duke detyruar familjet që të ikin për shkak të kushteve të rënda humanitare”, tha Kryeministri i përkohshëm Najib Mikati. “Për më tepër, ata po terrorizojnë dhe po ndjellin frikë në mesin e libanezëve, para gjithë botës, e cila po e toleron këtë situatë”.
Ai hodhi poshtë pretendimet izraelite se sulmet ajrore po synojnë vetëm objektiva të grupit Hezbollah, duke theksuar se spitalet e vendit janë të stërmbushura me të lënduar. Zoti Mikati i kërkoi Këshillit të Sigurimit që të ndërmerr masa.
Ambasadori izraelit tha se qeveria e tij nuk kërkon një luftë të gjerë dhe është e hapur për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike. Ambasadori Danny Danon tha se Izraeli po vepron ashtu siç do të vepronte çdo shtet nëse shtetasit e tij do të kërcënoheshin.
Grupi militant Hezbollah filloi sulme me raketa ndaj Izraelit pas sulmit terrorist të 7 tetorit nga Hamasi, që nxiti luftën e Gazës. Izraeli tha se grupi Hezbollah, deri më tani, ka lëshuar rreth 9 mijë raketa mbi vendbanimet izraelite në pjesën veriore të vendit. Grupi militant libanez thotë se po vepron në solidaritet me palestinezët dhe grupin militant Hamas që gjithashtu e ka mbështetjen e Iranit.
Luftimet kanë vrarë 49 njerëz në Izrael dhe qindra njerëz në Liban. Konflikti gjithashtu ka detyruar zhvendosjen e mijëra njerëzve në të dy anët e kufirit.
Izraeli gjithashtu thotë se ka aktivizuar trupat rezervë për shkak të përshkallëzimit të luftës.
Ministri i jashtëm iranian gjithashtu po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
“Irani nuk do të qëndrojë indiferent nëse i tërë rajoni përfshihet në luftë”, tha ministri Abbas Aragchi para gazetarëve. “Ne qëndrojmë me popullin e Libanit me të gjitha mjetet”.
Ka ende kohë për diplomaci
Në Uashington, zyrtarët ushtarakë thonë se ka ende kohë për diplomaci.
“Ne duam të shohim arritjen e një zgjidhjeje diplomatike. Këtë gjë e duam me urgjencë”, tha zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh. Ajo gjithashtu nënvizoi se ushtria amerikane nuk është duke i dhënë Izraelit informacione apo mbështetje ushtarake për operacionet që po zhvillon në Liban.
Zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se luftimet mund të çojnë drejt një konflikti më të madh dhe më të rrezikshëm.
“Një luftë e gjerë është e mundshme”, tha Presidenti Joe Biden ndërsa ishte i ftuar në emisionin “The View”, në rrjetin ABC.
“Po ashtu ekziston mundësia që të arrihet një marrëveshje e cila do të ndryshonte rrënjësisht tërë rajonin”, tha Presidenti Biden.
Lufta në Gazë filloi me sulmin e Hamasit në tetorin e vitit 2023, në pjesën jugore të Izraelit. Gjatë këtij sulmi, militantët palestinezë vranë rreth 1200 njerëz dhe morën 250 njerëz peng.
Ata ende mbajnë rreth 100 pengje, një e treta e të cilëve besohet se kanë vdekur.
Sulmet ajrore dhe operacionet tokësore izraelite kanë vrarë mbi 41 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të dhëna këto që nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura. Ushtria izraelite thotë se në mesin e të vdekurve përfshihen edhe mijëra luftëtarë të Hamasit.
Hamasi është futur në listën e organizatave terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe të tjerë. Uashingtoni e konsideron edhe grupin Hezbollah si organizatë terroriste.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kombet e Bashkuara, Margaret Besheer dhe gazetari Jeff Seldin kanë kontribuar në këtë artikull. Disa informacione janë marrë nga agjencitë e lajmeve: Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.