Ministri i Jashtëm i Izraelit udhëtoi në Francë të martën në një përpjekje për të frenuar pasojat e vendimit të kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të kërkuar urdhër-arreste për udhëheqësit izraelitë dhe ata të Hamasit, një veprim i mbështetur nga disa vende evropiane, duke përfshirë aleatin kryesor Francën.
Franca, Belgjika dhe Sllovenia thanë të hënën se mbështesin vendimin e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, i cili akuzoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant dhe tre udhëheqës të Hamasit, Yahya Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael.
Mbështetja e tyre për këtë vendim shfaq ndasitë në qëndrimin e Perëndimit ndaj Izraelit dhe thellon izolimin global të vendit për shkak të ofensivës në Rripin e Gazës.
Takimet e ministrit të jashtëm izraelit, Israel Katz me homologun e tij francez dhe zyrtarë të tjerë të lartë mund të japin sinjale mbi mënyrën se si vendet do t’i trajtojnë urdhër-arrestet, nëse ato lëshohen dhe nëse ato mund të përbëjnë kërcënim për udhëheqësit izraelitë.
Presidenti Biden dënon kërkesën për urdhër-arrest për krime lufte ndaj udhëheqësve izraelitë
Izraeli ka ende mbështetjen e aleatit të tij kryesor, Shteteve të Bashkuara, si dhe vendeve të tjera perëndimore që u shprehën kundër vendimit. Por nëse urdhër-arrestet lëshohen, ato mund të vështirësojnë udhëtimet ndërkombëtar për kryeministrin Netanyahun dhe ministrin e jashtëm Gallant. Izraeli nuk është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Ndërkohë dhuna vazhdon në rajon, me një operacion të forcave izraelite në Bregun Perëndimor, në të cilin u vranë të paktën shtatë palestinezë, duke përfshirë një mjek, thanë zyrtarë palestinezë të shëndetësisë.
Në një deklaratë të hënën vonë natën në lidhje me kërkesat për urdhër-arreste të prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Franca tha se “e mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pavarësinë e saj dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë në të gjitha situatat”.
“Franca ka paralajmëruar për shumë muaj për nevojën e respektimit të rreptë të ligjeve ndërkombëtare humanitare, në veçanti kur bëhet fjalë për numrin e papranueshëm të viktimave civile në Rripin e Gazës dhe qasjen e pamjaftueshme tek ndihmat humanitare”, thuhet në deklaratë.
Franca ka një komunitet të madh hebre dhe ka lidhje të ngushta tregtare dhe diplomatike me Izraelin, udhëheqësit e të cilit e vizitojnë atë shpesh.
Ministri i Jashtëm belg Hadja Lahbib tha të hënën në një postim në platformën X se “krimet e kryera në Gazë duhet të ndiqen penalisht në nivelin më të lartë, pavarësisht se kush janë autorët e tyre”.
Netanyahu dhe udhëheqës të tjerë izraelitë e dënuan veprimin e prokurorit, duke e konsideruar atë të turpshëm dhe antisemitik. Presidenti amerikan Joe Biden gjithashtu e kritikoi prokurorin dhe mbështeti të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur nga militantët e Hamasit. Britania e quajti vendimin “të padobishëm”, duke thënë se GJNP-ja nuk ka juridiksion në këtë rast, ndërsa aleati i Izraelit, Republika Çeke e quajti vendimin e prokurorit Khan “të tmerrshëm dhe plotësisht të papranueshëm”.
Një panel i përbërë nga tre gjykatës do të vendosë për urdhër-arrestet dhe për vazhdimin ose jo të gjyqit për këtë çështje. Gjykatësit zakonisht marrin dy muaj kohë për vendime të tilla.
Izraeli është përballur me kritika në rritje edhe nga aleatët e tij më të afërt për luftën në Rripin e Gazës, që tashmë ka hyrë në muajin e tetë. Më shumë se 35 mijë palestinezë janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk bën dallim midis viktimave civile dhe luftëtarëve në raportet e saj. Lufta ka shkaktuar një krizë humanitare që ka detyruar zhvendosjen e pjesës më të madhe të popullsisë brenda Rripit të Gazës dhe ka bërë që një pjesë e saj të përballet me urinë. Prokurori Khan tha se Izraeli ka përdorur urinë si një “mjet lufte”.