1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punës, punëtorët kosovarë i gjen me shkelje të të drejtave. Për kushte më të mira dhe ngritje të pagave, sot mbahet një protestë, nga ora 10.30, në Prishtinë. Kryesindikalisti i arsimit tha se kërkesa kryesore është ngritja e koeficientit të pagës për 30 për qind. Nga Inspektorati i Punës, ndërkaq, thonë se në tre mujorin e parë kanë pranuar dhe trajtuar mbi 300 ankesa.
Mungesa e kontratave të punës, mosrespektimi i tyre dhe shkeljet e ndryshme të dispozitave të Ligjit të Punës, janë problemet kryesore me të cilat vazhdojnë të përballen punëtorë në Kosovë.
Radio Kosova ka pyetur Inspektoratin e Punës në lidhje me numrin e ankesave dhe për shkeljet më të shpeshta që hasen në terren.
“Për periudhën janar-mars 2024 Inspektorati Qendror i Punës ka pranuar dhe trajtuar brenda afateve ligjore 333 ankesa. Shkeljet më të mëdha janë shkëputje e kontratës në mënyrë të njëanshme, mungesa e kontratës së punës, moskompensim i orëve të punës jashtë orarit”, ka thënë, në një përgjigje me shkrim, Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, në një prononcim për Radio Kovën thotë se këtë vit, 1 Maji po i gjen jo mirë punëtorët kosovarë.
“Nuk kemi marrëveshje të përgjithshme kolektive, e cila i mbron të punësuari në Kosovë, nuk kemi Këshill Ekonomik Social funksional, ku bëhet dialogu social për të gjithë të punësuarit. Nuk kemi sigurim shëndetësor i cili është shumë i nevojshëm. Do të thotë 1 Maji, punëtorët i gjen në një gjendje jo të mirë”, tha Hykolli.
BSPK nuk ka paraparë ndonjë aktivitet për të shënuar Ditën e Punës, por ata përkrahin protestën që sot do të organizohet nga SBASHK-u.
Kryesinidikalisti i arsimit, Rrahman Jasharaj, teksa u ankua për mungesë të dialogut social me qeverinë, tregoi kërkesat kryesore.
“Në protestë do të jetë edhe kërkesa për kushte më të mira të punës, ngase po sulmohemi vazhdimisht si mësues, ndonëse kushtet e punës në shkollat tona nuk janë të shekullit XXI. Kërkesë tjetër e sindikatave do të jetë që në mënyrë urgjente të lëvizë vlera e koeficientit për paga për së paku 30 për qind”, tha Jasharaj.
1 Maji – Dita Ndërkombëtare e punës , shënohet që nga viti 1866 dhe lidhet ngushtë me protestat e përgjakshme të mijëra punëtorëve të fabrikave në Çikago, në Amerikë, të cilët kërkonin më shumë të drejta.