Mësimi në shkollat e Kosovës do të rifillojë të mërkurën (nesër).
Ky moment shënon rikthimin e nxënësve dhe mësimdhënësve nëpër klasa në gjysmë vjetorin e dytë, pas pushimit dyjavor dimëror.
E lidhur me këtë ka folur kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), Rrahman Jasharaj.
Ai nuk ka përjashtuar se gjatë këtij gjysmëvjetori mund të ketë veprime sindikale si greva e protesta.
“Të mërkurën do të fillojë gjysmëvjetori i dytë. Kur të kthehet mësimdhënësit në shkolla do të bashkëbisedojmë me ta dhe të shohim se çfarë vendime po marrim”, tha ai.
Ai theksoi se Sindikata do të jetë e kujdesshme në veprimet e saj, duke pasur parasysh fillimin e fushatës politike dhe frikën se çdo vendim mund të keqinterpretohet, veçanërisht, siç thotë ai, nga qeveria.
“Do të jemi shumë të matur për veprime sindikale pasi fillon fushata politike që mos të na lexojnë si mesazh të gabuar qoftë qeveria që e ka zakon të hedh fjalë se jemi herë me ta e herë me dikë tjetër. Nëse mbajmë grevë mund të na akuzojë siç e ka traditë partia në pushtet se qenkemi me ata apo me këta”, theksoi Jasharaj.
Sipas Jasharajt, punëtorët e arsimit janë të zhgënjyer me veprimet e qeverisë dhe Ministrisë së arsimit, duke u shprehur se protestat dhe grevat deri tani nuk kanë pasur ndikim në realizimin e kërkesave të tyre.