Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti në takim zëvendësshefin e J5/8 të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM J5/8), gjeneralbrigade Chris A. McKinney. Gjeneral McKinney u shoqërua nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, zonja Anu Prattipati.
Të dy gjeneralët diskutuan për bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara si dhe rritjen e këtij bashkëpunimi në të ardhmen. FSK-ja konfirmoi përkushtimin e saj përmes zotimit për mikpritje dhe pjesëmarrje në ushtrimin shumëkombësh “DEFENDER EUROPE 25” që realizohet nën kupolën e Komandës Evropiane.
Gjeneral Jashari edhe njëherë deklaroi se zhvillimi i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës është në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Gjithashtu theksoi kontributin e madh të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara në mbështetjen e dhënë si partner strategjik në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjeneral Jashari diskutoi edhe realizimin e aspiratave të Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO.
Në fund të takimit, Gjeneral McKinney ritheksoi gatishmërinë e Komandës Evropiane për të mbështetur FSK-në, në rrugën e saj për zhvillim të mëtutjeshëm përmes ushtrimeve, trajnimeve dhe aktiviteteve tjera të përbashkëta.
Kjo vizitë zyrtare rikonfirmon bashkëpunimin që Forca e Sigurisë e Kosovës ka me Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.