Mar. Pri 15th, 2025

KDI: Përgjegjësia kryesore për konstituim bie mbi VV-në

Seanca konstituive e Kuvendit dështoi. Lidhur me këtë ka reaguar Instituti Demokratik i Kosovës.

Sipas Institutit Demokratik të Kosovës dështimi i konstituimit të Kuvendit është rezultat i keqmenaxhimit institucional dhe mungesës së përgatitjes ligjore nga ana e shumicës.

Sipas KDI-së, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e ka për obligim t’i sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit.

”Dështimi i votimit të raportit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve bëri që seanca konstituive e sotme të ndërpritet. Me vetëm 52 vota pro – të pamjaftueshme për miratim – u dëshmua qartë se ekziston një mospërputhje mes deklarimeve publike të Lëvizjes Vetëvendosje për sigurimin e shumicës së nevojshme dhe realitetit parlamentar. Ndonëse të gjithë deputetët janë të obliguar të veprojnë në funksion të konstituimit të Kuvendit, mosdorëheqja formale e anëtarëve të qeverisë që kanë fituar mandat legjislativ ishte faktori kryesor që çoi në dështimin e sotëm të seancës. Në këtë kontekst, vlerësojmë se ky dështim nuk mund t’i faturohet vetëm opozitës, kur shumica pretendon se i ka votat, por është rezultat i keqmenaxhimit institucional dhe mungesës së përgatitjes ligjore nga ana e shumicës”, thuhet në reagim.

Më tutje sipas KDI-së përpjekjet për ta përfshirë rolin e presidentit që t’i jepet drejtim konstituimit, janë të pavlefshme.

“Roli dhe kompetencat e Presidentes përfundojnë me thirrjen e seancës – ndërsa menaxhimi i saj është përgjegjësi ekskluzive e kryesuesit të seancës, Avni Dehari. Zgjidhja është e mundur dhe e domosdoshme!” thuhet tutje në komunikatë.

Në fund, KDI-ja ka thënë se është Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit ajo që ka obligim të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“Vazhdimi i seancës duhet të thirret sa më parë, brenda afatit 48-orësh, për të mundësuar sërish mbledhjen e komisionit të përkohshëm, i cili duhet t’i shqyrtojë dhe verifikojë edhe një herë materialet përkatëse – të cilat duhet të jenë të plota. Më pas, është përgjegjësi e të gjithë 120 deputetëve që të votojnë pro raportit dhe të japin betimin. Në fund, LVV, si parti fituese, ka obligim të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – përmes diskutimeve, negocimit dhe kompromisit politik – në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për formimin e institucioneve dhe të shmangen zgjedhjet e reja”, thuhet në reagim

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *