Këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, Driton Tali, ka thënë se ata që do të votojnë të dielën për Përparim Ramën, do të votojnë për “LDK-në e moçme”.
Ai ka rikujtuar një deklaratë të kandidatit të LDK-së, i cili ka thënë se do të jetë “kandidat i pavarur në aspektin e vendimmarrjes, pasi nuk e ka zgjedhur LDK-ja”.
Tali ka përmendur edhe deklaratat kundërthënëse të kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashit dhe ish-kryetarit Isa Mustafa, lidhur me rolin e ish-ambasadorit amerikan Richard Grenell, në rrëzimin e qeverisë “Kurti 1”.
Sipas tij, këto deklarata e dëshmojnë se LDK-ja është një “ujk i moçëm”, ku diktatin e mban Mustafa dhe Agim Veliu.
Reagimi i Talit në Facebook:
Miq, të dielën, këtë fjali të kandidatit të LDK’së mbajeni mend:
“Unë jam i pavarur në aspektin e vendimmarrjes për arsye se nuk më ka zgjedhur LDK-ja …”.
Është sharadë. Sepse LDK e zgjodhi për kandidat dhe struktura e LDK’së (me disa miq të mikut tij z.Thaçi) bëri fushatë.
D.m.th., ai aty është për shkak të LDK’së sikurse Arbeni që është për shkak të LV’së.
E LDK’në edhe një herë na shpjegoi se çfarë edhe më tutje është mysafiri i saj Riçard Grenell, ku shefi i Grupit Parlamentar, z.Arben Gashi, na shpjegoi thjeshtë e qartë rolin z.Grenell me numra 7,6,5,4…, kurse kryetari i saj i nderit, z.Isa Mustafa, e tha të kundërtën.
Thënë ndryshe: kemi të bëjmë edhe më tutje me “ujkun e moçëm”; me LDK’në e Isa Mustafës dhe Agim Veliut & Co; LDK’në, e cila sillej (sillet) me diktat ndaj gjithë atyre që nuk e dëgjonin parinë e saj!
Pra, me një LDK të njëjtë përkundër tentimeve dhe përpjekjeve të disave për ta reformuar.
Andaj, miq këtë të diele nuk do të votoni për z.Rama, por do të votoni për LDK’në e moçme.