“Aktualisht jemi duke e shqyrtuar këtë kërkesë”, kështu u tha në përgjigjen e KFOR-it dërguar REL-it, duke konfirmuar se ka pranuar kërkesë nga Serbia, lidhur me dislokimin e deri një mijë trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka pranuar kërkesë nga Serbia, lidhur me dislokimin e deri një mijë trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.
“Aktualisht jemi duke e shqyrtuar” këtë kërkesë, u tha në përgjigjen e KFOR-it.
“KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë misionin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, shtoi ky mision.
Ndryshe, të premten e 16 dhjetorit, mediumi serb, Danas, ka raportuar se Serbia ia ka dorëzuar kërkesën fizike KFOR-it, për të dërguar deri në një mijë forca të sigurisë në Kosovë.
“Në pikën kufitare në Merdar, të premten e 16 dhjetorit, Serbia i ka dërguar KFOR-it kërkesën fizike për të dërguar deri në një mijë forca të sigurisë në Kosovë”.
Kjo pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas seancës së qeverisë serbe të mbajtur të enjten e 15 dhjetorit, kishte thënë se të enjten do të dërgohet kërkesa elektronike, ndërsa të premten do të dorëzohet kërkesa fizike.
“Në mbledhjen e qeverisë është vendosur që nesër në mëngjes t’i dorëzojmë komandantit të KFOR-it një kërkesë, e cila është në përputhje me Rezolutën 1244, që të kthehet një numër i caktuar i personeli ushtarak dhe policor, i cili numëron nga qindra deri në një mijë në Kosovë”, kishte deklaruar Vuçiq.
Ndryshe, Beogradi zyrtar qysh më 8 dhjetor, paralajmëroi shqyrtimin e vendosjes së forcave të veta në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.