Presidenti rus Vladimir Putin falënderoi udhëheqësin kinez Xi Jinping për përpjekjet e tij për të zgjidhur konfliktin e Ukrainës gjatë një takimi në Pekin të enjten.
Takimi i sotëm ishte një tjetër konfirmim i marrëdhënies miqësore “pa kufij” që ata nënshkruan në vitin 2022, pak para se Rusia të niste sulmin e saj kundër Ukrainës.
Vizita shtetërore dy-ditore e Presidentit rus tek një nga aleatët e tij më të fortë vjen ndërsa forcat e vendit të tij po bëjnë një ofensivë në rajonin e Kharkivit në Ukrainën verilindore.
“Të dyja palët duan të tregojnë se pavarësisht asaj që po ndodh globalisht, pavarësisht trysnisë me të cilën të dyja palët po përballen nga Shtetet e Bashkuara, ato nuk do t’i kthejnë shpinën njëra-tjetrës”, thotë Hoo Tiang Boon, profesor i politikës së jashtme kineze në Universitetin Teknologjik ‘Nanyang’ të Singaporit.
Ndërsa të dy udhëheqësit thonë se po kërkojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë, ata nuk ofruan detaje në deklaratat e tyre të enjten pasdite. Kina ka ndikim të madh si mbështetësi kryesor i Rusisë, ndërsa Moska po e vazhdon luftën në Ukrainë.
Pekini thotë se mban qëndrim neutral ndaj këtij konflikti, por i ka mbështetur pretendimet e Moskës se Rusia e nisi sulmin ndaj Ukrainës pasi u provokua nga perëndimi. Kina gjithashtu vazhdon të furnizojë me pajisje industrinë ruse të prodhimit të armëve.
Kina propozoi një plan paqeje në vitin 2023, por ai u refuzua nga Ukraina dhe perëndimi pasi nuk përfshinte largimin e trupave ruse nga pjesët e Ukrainës që janë marrë nën kontroll nga forcat ruse.
“Kina shpreson që Evropa t’i kthehet rrugës së paqes dhe stabilitetit dhe Pekini do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv drejt kësaj”, tha Presidenti Xi, duke folur krahas homologut rus.
Kjo deklaratë i bëri jehonë asaj që Kina tha vitin e kaluar kur ofroi për herë të parë një plan për paqen, duke ofruar parime të përgjithshme për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Presidenti Putin tha se do të informojë udhëheqësin kinez me detaje për “situatën në Ukrainë” dhe shtoi se “ne çmojmë iniciativën e kolegëve dhe miqve tanë kinezë për të përmirësuar situatën”. Ai shtoi se të dy udhëheqësit planifikonin të angazhoheshin në diskutime të mëtejshme rreth politikës së jashtme në një takim jozyrtar që do të mbahet më vonë të enjten.
Ndërsa Rusia filloi një ofensivë të re në Ukrainë javën e kaluar, lufta 2-vjeçare ka hyrë në një fazë kritike, pasi ushtria e Ukrainës ende pret për furnizime të reja me raketa anti-ajrore dhe predha artilerie nga Shtetet e Bashkuara.
Para mbajtjes së fjalimeve, të dy udhëheqësit nënshkruan një deklaratë për thellimin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik në 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes tyre.
Rusia është bërë gjithnjë e më shumë e varur ekonomikisht nga Kina pasi sanksionet perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë ia ndërprenë Moskës qasjen në pjesën më të madhe të sistemit tregtar ndërkombëtar. Rritja e tregtisë së Kinës me Rusinë, që vitin e kaluar arriti shifrën e 240 miliardë dollarëve, e ka ndihmuar Moskën të zbusë disa nga pasojat e sanksioneve.
Moska e ka devijuar pjesën më të madhe të eksporteve të saj të energjisë drejt Kinës dhe është mbështetur te kompanitë kineze për importimin e pajisjeve për industrinë ushtarake për të shmangur sanksionet perëndimore.
“Unë dhe presidenti Putin jemi dakord, ne duhet të kërkojmë aktivisht për pika me interes të përbashkët për të dy vendet, për të zhvilluar avantazhet e secilit dhe forcuar bashkëpunimin për përmbushjen e interesave të përbashkëta”, tha Presidenti Xi.
Në takim presidenti kinez përgëzoi homologun Putin për zgjedhjen e tij në një mandat të pestë në detyrë dhe festoi 75 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis ish-Bashkimit Sovjetik dhe Republikës Popullore të Kinës, e cila u krijua pas luftës civile në vitin 1949. Presidenti Putin nuk pati kundërshtarë të besueshëm në garën presidenciale dhe, ashtu si Presidenti Xi, nuk ka paraqitur ndonjë plan për ndonjë pasardhës të mundshëm.
Në prag të vizitës, Presidenti Putin tha në një intervistë për mediat kineze se Kremlini është i përgatitur për të negociuar për konfliktin në Ukrainë. “Ne jemi të hapur për një dialog mbi Ukrainën, por negociata të tilla duhet të marrin parasysh interesat e të gjitha vendeve të përfshira në konflikt, duke përfshirë edhe tonat”, citohet të ketë thënë Presidenti Putin nga agjencia zyrtare kineze e lajmeve ‘Xinhua’.
Presidenti Putin tha se propozimi kinez i bërë në vitin 2023, të cilin Ukraina dhe Perëndimi e refuzuan, mund të “vendosë bazat për një proces politik dhe diplomatik që do të merrte parasysh shqetësimet e sigurisë së Rusisë dhe do të kontribuonte në arritjen e një paqeje afatgjatë dhe të qëndrueshme”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë se çdo negociatë duhet të përfshijë rivendosjen e integritetit territorial të Ukrainës, tërheqjen e trupave ruse, lirimin e të gjithë të burgosurve, një gjykatë për ata që janë përgjegjës për agresionin dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Presidenti Putin ka fajësuar Perëndimin për dështimin e negociatave në javët e para të luftës dhe vlerësoi planin e paqes të Kinës.
Marrëdhëniet ushtarake Rusi-Kinë janë forcuar gjithashtu gjatë luftës në Ukrainë. Ata kanë mbajtur një sërë manovrash të përbashkëta luftarake në vitet e fundit, duke përfshirë stërvitje detare dhe kanë kryer së bashku patrullime me aeroplanë bombardues me rreze të gjatë mbi Detin e Japonisë dhe Detin e Kinës Lindore. Forcat tokësore ruse dhe kineze janë dërguar gjithashtu në territorin e vendit tjetër për stërvitje të përbashkëta.
Kina mbetet një treg i madh për ushtrinë ruse, ndërsa gjithashtu zgjeron industritë e saj mbrojtëse të brendshme, duke përfshirë ndërtimin e aeroplanmbajtësve dhe nëndetëseve bërthamore.
Presidenti Putin ka thënë më parë se Rusia ka ndarë teknologji shumë të ndjeshme ushtarake me Kinën që ndihmuan në forcimin e aftësive mbrojtëse të Kinës. Në muajin tetor të vitit 2019, ai tha se Rusia po ndihmonte Kinën të zhvillonte një sistem paralajmërimi të hershëm për të kapur raketat balistike, një sistem që përfshin radarët me bazë në tokë dhe satelitë që i kanë vetëm Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.