Die. Nën 24th, 2024

KMDLNJ: Policët e rrëmbyer të mos përdoren për qëllime politike

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut ka kërkuar që tre policët e Kosovës që u rrëmbyen nga Serbia të mos përdoren për qëllime politike.

“Serbia nuk është e njohur për trajtimin e mirë të personave të privuar nga liria sepse trajtimi i tyre nuk monitorohet nga burimet e pavarura. Për rastet e të të arrestuarve (më herët), shtetas të Kosovës, KMDLNj–ë nuk ka informata se janë keqtrajtuar gjatë bisedave me ta dhe familjarët prandaj edhe me rastin e trajtimit të tre policëve të rrëmbyer, në mungesë të informatave askush nuk mund të thotë asgjë konkrete për keqtrajtim eventual”, thuhet në komunikatën e KMLDNj-së.

“Se çka thotë Aleksandër Vuçiq nuk paraqet ndonjë interes për faktin se nuk është burim i pavarur i informatave. Po të donte, pa asnjë dyshim do të siguronte qasje për të vizituar policët e rrëmbyer nga ndonjë burim i pavarur në ndërkohë që KMDLNj –ë ka shfaqë vullnet dhe gatishmëri që në çdo kohë, nëse sigurohen kushtet, t’i vizitojë policët e Kosovës. Institucionet e Kosovës, kurrë dhe në asnjë çast nuk kanë penguar vizitat e monitoruesve apo familjarëve në raste kur shtetasit e Serbisë apo serbët e Kosovës (me shtetësi të dyfishtë) janë arrestuar në Kosovë, qoftë gjatë paraburgimit apo vuajtjes së dënimit”.

“Pra, institucionet e Kosovës janë treguar shumë transparente duke lejuar vizitat përjashtuar rastet e fundit kur, në pamundësi të dërgohen në mbajtje për shkak të bllokadave, janë mbajtur në veri në mbajtje të improvizuar”.

“Që paradoksi të jetë edhe më i madh, as shefit të Zyrës së Kosovës në Beograd, deri më sot nuk i është lejuar t’i vizitojë policët e arrestuar”.

Ky Këshill tha se asnjë institucion në Kosovë nuk e ka asnjë mundësi të ketë qasje te policët e rrëmbyer, dhe sipas tyre, të gjitha deklaratat janë politike dhe për përdorim të brendshëm.

“Opinioni duhet ta ketë të qartë se qeveria e Kosovës e dhe asnjë institucion tjetër nga Kosova nuk ka asnjë mundësi të ketë qasje te policët e rrëmbyer prandaj, thuaja të gjitha deklaratat janë deklarata politike, për përdorim të brendshëm”.

“Është joserioze nga një politikan që të deklarojë se ndaj policëve kosovarë është përdorur dhunë në kohën kur nuk e kanë asnjë informatë të vetme. Vetëm sa shqetësojnë familjarët dhe opinionin duke shpërndarë informata të pavërtetuara”.

“Apo se policët e rrëmbyer janë të burgosur politikë kur nuk kanë as aktakuzë të ngritur apo vendim të gjykatës të formës së prerë”.

“Ky është keqpërdorim flagrant i postit, për qëllime politike. Opozita nuk ka të drejtë të akuzojë qeverinë për fatin e policëve të rrëmbyer për faktin se edhe nëse ata do të ishin në pushtet nuk do të bënin asgjë më shumë”.

“Institucionet e Kosovës janë krejtësisht të pafuqishme të bëjnë diç më shumë përjashtuar këtu sigurimin e mbrojtjes ligjore duke paguar mbrojtjen e tyre sikur edhe shpenzimet për familjarë nëse ata kanë nevojë për shpenzime që ndërlidhen me rasti”.

KMLDNj-ja kërkoi që të gjithë akterët politikë bashkë me mediat dhe personat me ndikim të përmbahen nga deklaratat e papërgjegjshme që shkaktojnë paqartësi de huti te familjarët e policëve si dhe në opinion.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *