Sot prej orës 18:00 Policia e Kosovës është pa komandë ne veri. Atje Drejtoria Rajonale e Veriut ka vendosur të mos i zbatojë më urdhërat e Drejtorisë Qendrore të Policisë së Kosovës.
Kjo është bërë hapur përmes një konference për media të komandantit rajonal të Veriut me hiearkinë e tij, derisa në krah e ka pasur Igor Simiqin, nënkryetarin e Listës Serbe.
Policia e Kosovës në Rajonin e Veriut nuk mund ta zbatojë vendimin për riregjistrimin e targave të Serbisë në RKS, ka bërë të ditur sot drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë për Rajonin e Veriut, Nenad Gjuriq.
Ai iu drejtua mediave të përzgjedhura para ndërtesës së komunës në Mitrovicën e Veriut, në prani të kryetarit të komunës nga Veriu dhe lidershipit policor të rajonit të Veriut.
Gjuriq ka konfirmuar sot se vendimi i Qeverisë së Kosovës në Prishtinë për riregjistrimin e automjeteve i është dërguar për përmbarim edhe Drejtorisë Rajonale të Veriut.
Në anën tjetër, ai tha se në periudhën e kaluar i kanë bërë të ditur Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë dhe të gjithë zyrtarëve relevantë ndërkombëtarë politikë dhe të sigurisë në Kosovë, se policët e rajonit të Veriut nuk mund ta zbatojnë atë vendim.
“Ajo është politike dhe e drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb të cilit ne vetë i përkasim dhe ndajmë shqetësimet tona në lidhje me të gjitha veprimet e njëanshme”.
Gjuriq tha gjithashtu se sot patrulla të policisë rrugore nga Prishtina janë dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë në veri të Kosovës me qëllim që të “ushtrojnë presion mbi policët tanë që të kryejnë veprimet e kërkuara, që kanë të bëjnë me dhënien e vërejtjes për vozitësit me KM”.
“Dëshirojmë të theksojmë se patrullat e lartpërmendura nga Prishtina janë dërguar në veri të Kosovës pa dijeninë dhe miratimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë Veri. Gjithashtu, në të kaluarën i kemi vënë në dukje Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë dhe komunitetit ndërkombëtar për praninë e njësive speciale policore dhe ngritjen e bazave në zonën tonë të përgjegjësisë, edhe pa dijeninë dhe miratimin tonë, të cilat me aktivitetet e tyre sjellin frikë dhe trazira te njerëzit që jetojnë këtu”, tha Gjuriq.
Ai pretendon se këto veprime “nënvlerësojnë dhe margjinalizojnë drejtpërdrejtë” rolin e drejtorisë rajonale të Veriut.
Ai thotë se policët e këtij rajoni janë aty për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer popullit, pa dallim kombësie dhe feje.
“Ne qëndrojmë për respektimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit, sipas së cilës kompetencat tona janë të përcaktuara qartë”, ka theksuar Gjuriq.
Drejtoria Qendrore e Policisë së Kosovës deri më tani nuk ka bërë të ditur asgjë lidhur me pretendimet e Gjuriqit për dërgimin e patrullave të trafikut nga Prishtina në Veri dhe as për pretendimet se policët e rajonit të Veriut nuk do ta zbatojnë vendimin për riregjistrim.