Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ministrin e Brendshëm të Izraelit, Moshe Arbel.
Në takim u diskutuan çështje të ndryshme të interesit të përbashkët, që përfshijnë bashkëpunimin ekonomik, marrëdhëniet diplomatike dhe kulturore, çështje të sigurisë dhe mundësitë për të forcuar edhe më tej raportet mes dy vendeve.
Kryetari Konjufca e falënderoi ministrin izraelit, Moshe Arbel, për punën e bërë për të arritur deri te heqja e vizave nga shteti i Izraelit, për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Palët vlerësuan se kjo gjë përbën një hap shumë domethënës në zhvillimin e raporteve mes dy shteteve, si dhe është një mundësi shumë e mirë për të rritur shkëmbimet e dyanshme, ku qytetarët e dy vendeve tona do të jenë ata që do të përfitojnë më së shumti.
Ministri Moshe Arbel e falënderoi Konjufcën për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e tij për të bërë sa më shumë hapa për rritje të bashkëpunimit, në drejtim të interesave të përbashkët.