Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Bangladeshit, Mosharraf Hossain Bhuiyan, të cilin e ka falënderuar për angazhimin gjatë mandatit të tij.
Sipas njoftimit për media thuhet se Osmani shprehu mirënjohjen e përzemërt për angazhimin e palëkundur të Bangladeshit për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.
“Në këtë linjë, Presidentja Osmani shtroi nevojën e mbështetjes nga Bangladeshit për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në takim u diskutua edhe për mundësitë e shkëlqyera për nxitjen e mëtejme të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, me theks të veçantë në industrinë e tekstilit, e cila është e zhvilluar në Bangladesh”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të një forumi të përbashkët ekonomik si një mundësi e shkëlqyer për bizneset nga të dyja vendet për t`i eksploruar perspektivat e bashkëpunimit në të ardhmen.
“Presidentja Osmani, në këtë takim, e ka njoftuar ambasadorin Bhuiyan edhe për edicionin e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet më 15-16 prill të këtij viti dhe i cili është një mundësi e mirë për bashkëpunim dhe dialog të mëtejshëm”, thuhet në njoftim.