Sht. Shk 22nd, 2025

“Kosova meriton anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, thotë Hasani pas takimit me Bersetin

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani në një takim që pati me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, ka thë se anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të ndodhë sa më shpejt.

Kryediplomati shqiptar me zyrtarin e lartë të Këshillit të Evropës ka folur edhe mbi integrimin e Shqipërisë, forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit si dhe mbështetjen ndaj Ukrainës.

“I lumtur të mirëprisja sot sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, z. Alain Berset, një vizitë veçanërisht simbolike pasi viti 2025 përkon edhe me 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Gjatë takimit u vlerësua progresi i Shqipërisë në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, si edhe roli aktiv në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetja e saj për Ukrainën”.

“Gjithashtu gjeta rastin t’i nënvizoj z. Berset se anëtarësimi mëse i merituar i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Shqipëria qëndron e palëkundur në mbështetjen ndaj saj, duke e parë si një pikë kyç për stabilitetin rajonal dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, tha Hasani, raporton Rtsh.

Edhe kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka pritur në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Alain Berset, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Në takim ishin të pranishëm anëtarët e delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE, deputetet Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, Albana Vokshi, si edhe Ambasadori i Shqipërisë në KiE, Dastid Koreshi.

Kryetarja Spiropali dhe sekretari i përgjithshëm Berset, diskutuan mbi bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë me këtë organizatë të madhe europiane gjatë 30 vjetëve të anëtarësimit dhe kontributit të vendit tonë në Këshillin e Europës si edhe kontributin aktiv të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare.

Diskutuan gjithashtu për mbështetjen e KiE dhe arritjet e Shqipërisë në sundimin e ligjit, respektimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut, fuqizimin e institucioneve dhe vlerave demokratike; avancimin e reformave drejt anëtarësimit në BE; bashkëpunimin në organizatat shumëpalëshe ndërkombëtare dhe mbështetjen e vendosur për Ukrainën.

Kryetarja Spiropali i transmetoi Sekretarit të Përgjithshën Berset kërkesën e Shqipërisë që Kosova, kjo demokraci e re dhe vibrante, meriton të pranohet sa më parë në KiE, si një faktor për bashkëpunimin, sigurinë dhe paqen në rajon.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *