Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka mirëpritur lajmin se Kosova pritet t`i përfitojë rreth 880 milionë euro nga Komisioni Evropian.
Në një intervistë për Indeksonline, ka sqaruar pikat e investimit në të cilat do të përfitojë shteti ynë nga ky fond i evropianëve.
Sipas tij, iniciativa rajonale, që ofron në tërësi diku 6 miliardë euro, shkon në formë të grandit dhe tjetra në formë të kredive.
“Kosova është paraparë të fitojë aty kryesisht për ta përmirësuar rrjetin e saj rrugor, hekurudhor, sistemin energjetik të Kosovës si dhe për ta përmirësuar rrjetin e teknologjisë informative, rrjeti 5G. Normalisht, reformat institucionale të cilat janë të domosdoshme”, ka thënë ai.
Muja ka folur edhe për masat që Bashkimit Evropian ende nuk ia ka hequr Kosovës, e të cilat ishin vendosur në qershor të vitit të kaluar.
“Kanë qenë pikat dakordimi i Bratislavës për masat e deeskalimit. Mundësia që të votohet përmes referundmit lokal. Ka pas edhe një raport të brendshëm nga vet BE-ja që ato masa duhet të hiqen pasi janë të padrejta. Këto masa nuk ka arsye që të vazhdohen. Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat”, ka deklaruar ai.
Kujtojmë se gjatë muajit tetor, Komisioni Evropian pritet t’i miratoj agjendat e reformave për pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të mundësohen transaksionet e para nga Plani i Rritjes për rajonin. Kosova pritet t`i përfitojë rreth 880 milionë euro.
Vetëm Bosnja e Hercegovina nuk ka arritur t`i plotësojë kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian për agjendat e reformave për pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor.