Sht. Dhj 21st, 2024

Kosova shqyrton mundësinë e rikthimit në projektin e gazit

Qeveria e Kosovës duket se po i rikthehet gazsjellësit, të cilin e kishte refuzuar vitin e kaluar.

Gazsjellësi Trans-Atlantik, i njohur si TAP, kishte marrë mbështetjen më 2003 në kuadër të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), për të sjellë gazin natyror nga Azerbajxhani në Greqi, e më pas edhe në vendet tjera.

Përfshirja e Kosovës në këtë projekt do të bëhej përmes terminalit në Vlorë të Shqipërisë. Vitin e kaluar, Kosova kishte hequr dorë nga projekti, me arsyetimin se projekti ishte ekonomikisht jo i favorshëm dhe kishte çmim të lartë.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli në konferencë për media, të mbajtur të martën, ka bërë publike përmbajtjen e Draft-Strategjisë së Energjisë 2022-2031.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është po ashtu e përkushtuar të rrisë planifikimin e përbashkët të sistemit energjetik me Republikën e Shqipërisë. [Bashkë]investimi në termocentralet me gaz natyror për qëllim të mbulimit të kërkesës bazë dhe/ose për fleksibilitet të sistemit në Shqipëri, por edhe në Maqedoni të Veriut dhe në Greqi, do të shqyrtohen me qëllim të zbatimit brenda afatit të kësaj strategjie”, ka thënë ajo.

Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) kishte thënë se do t’i jepte Kosovës një grant deri në 200 milionë dollarë, që do të mund të shfrytëzohej për infrastrukturën e gazit.

Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031 është një nga dokumentet themelore, e cila përcakton drejtimet dhe veprimet kryesore për zhvillimin e sektorit të energjisë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm.

Në draftin e kësaj strategjie të prezantuar të martën thuhet se janë duke u shqyrtuar opsionet për ndërtimin e një sistemi me bazë gazi natyror në Kosovë, duke marrë parasysh faktin se aktualisht Kosova nuk ka rrjet të transmisionit të gazit.

“Për ndërtimin e një interkoneksioni për t’u lidhur me sistemet e transmisionit të gazit, qoftë me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), ose me terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Detin Egje apo Detin Jon, d.m.th. përmes Maqedonisë së Veriut ose Shqipërisë, do të duheshin së paku 7-9 vjet”.

“Ndërtimi eventual i një interkoneksioni do të mundësonte funksionimin e prodhimit të energjisë elektrike me bazë gazi dhe potencialisht shfrytëzimin e gazit natyror në industri”, thuhet në draft-strategjinë 42 faqëshe të publikuar të martën nga Qeveria e Kosovës.

Çfarë është TAP?
Një prej sfidave të shumë qeverive evropiane në vitet e ardhshme parashihet të jetë siguria energjetike, si dhe qasja në sa më shumë burime të energjisë.

Për këtë arsye në vitin 2003, kishte marrë mbështetje ndërtimi i një projekti të rrjetit të gazit natyror, i njohur si Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP).

Ndërtimi i projektit të TAP-it filloi në vitin 2016. Tubacionet e gazsjellësit nisin në fushën Shah Deniz II në Azerbajxhan, kalojnë në veri të Greqisë, më pas një pjesë të konsiderueshme të territorit të Shqipërisë nga ku futen nën Detin Adriatik për të dalë sërish në sipërfaqe në jug të Italisë.

Për herë të parë në fund të vitit 2020, pas shumë përgatitjeve dhe testimeve, në tubacionet e TAP-it, filloi të rrjedhë gazi i lëngshëm e që arriti në Itali në fillim të muajit janar.

Ky projekt kishte marrë mbështetje të madhe nga institucionet e Bashkimit Evropian duke e cilësuar atë si “projekt i interesave të përbashkëta”.

Institucionet evropiane mbështesin Gazsjellësin Trans-Adriatik pasi e shohin atë si një mundësi reale për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar me gaz tregjet evropiane, që kryesisht dominohen nga gazi rus.

Rusia mbulon mbi 43 për qind të tregut evropian të gazit.

Përveç kësaj, një nga objektivat e BE-së është që të reduktojë në maksimum ndotjen nga emetimet të karbonit nga termocentralet prej thëngjilli dhe format e tjera të ndotjes së mjedisit.

Gazi natyror konsiderohet një nga lëndët djegëse më të pastra me emetim minimal të ndotjes./REL/

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *