Ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci tha në një intervistë për Euronews Albania se Kosova ndihet e kërcënuar nga ndonjë sulm i mundshëm nga Serbia.
Ai i bëri thirrje NATO-s të monitorojë kufirin me Serbinë.
“Nuk është vetëm analogji, kjo vjen me informacionin që kemi paraqitur para disa javësh për përgatitje të vazhdueshme të grupeve që kanë realizuar sulmin terrorist në 24 shtator në Kosovë.
Këto grupe asnjëherë nuk janë dënuar apo ndjekur, ato vazhdojnë të qarkullojnë dhe përgatiten brenda Serbisë dhe bazuar në ato informacione vlerësojmë se derisa këto grupe janë funksionale dhe ndërlidhen me strukturat e sigurisë në Serbi, paraqesin kërcënim të vazhdueshëm dhe këto lloj ushtrimesh mund të shfrytëzohen për ndonjë qëllim tjetër.
Vazhdimisht njoftojmë NATO-n për informacionet që kemi. NATO është e përkushtuar që të mbrojë kufirin e Kosovës dhe këtë e ka bërë të ditur edhe zyrtarja e NATO. Pas sulmit të 24 shtatorit kemi pasur një rritje të numrit të forcave të KJFOR për një ruajtje më efikase të vijës kufitare”, tha Maqedonci