Enj. Nën 21st, 2024

Kosova U19 nis parapërgatitjet për kualifikimet e Evropianit 2025

Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e vajzave ka filluar parapërgatitjet për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2025 të kësaj grupmoshe, të cilat zhvillohen në Gjermani.

Të akomoduara në Kampin Nacional në Hajvali, Dardanet e reja të ftuara nga ligat vendore dhe diaspora, sot u paraqitën të kompletuara si skuadër në fushë, duke zhilluar stërvitje taktike dhe duke treguar që në start të këtij grumbullimi performancën e tyre.

Kosova U19 të premten do ta zhvillojë një ndeshje ndaj Kombëtares A dhe ky do të jetë një test i mirë për të parë forcën e Dardaneve të reja përballë skuadrave të forta, me të cilat do të përballen në muajin nëntor.

Përzgjedhësja Albina Rrahmani është e lumtur pasi të gjitha futbollistet janë aktive nëpër skuadrat e kampionateve të tyre: “Po shohim kualitet tek vajzat dhe jemi me fat që kanë qëlluar ndeshjet në vazhdimësi të kampionatit tonë dhe atyre që janë jashtë dhe kjo është një plus për ne. Stërvitjet po shkojnë shumë mirë, disa vajza janë të ftohura por shpresojmë se do t’ju kaloj. Po besojmë se do të jetë një test i mirë ndeshja testuese kundër Kombëtares A, pasiqë në nëntor do të përballemi me Gjermaninë, Danimarkën dhe Greqinë, e të cilat janë superfuqi. Ne kemi kërkuar që të kemi një ndeshje testuese me një ekip më të fortë, që të përgatitemi për atë që na pret. E mira e krejt këtyre grumbullimeve është që shumë vajza të ekipit U19 i janë bashku ekipit A dhe ky eshtë qëllimi i të gjitha gjeneratave që ne i kemi”, tha Rrahmani.

Futbollistja Mirjeta Januzi e cila jeton në Gjermani është e lumtur me ftesën e Kosovës, derisa beson se me përgatitjen e mirë edhe do t’i bëjnë ballë kundërshtarëve të tyre:

“Unë jam shumë krenare që më kanë ftuar në këtë grumbullim të përgatitem për Gjermaninë sepse kur ushtrojmë mirë mund ta mposhtim edhe Gjermaninë, dhe do ta japim maksimumin në dhjetor. Në këtë stërvitje të gjitha e kemi dhënë maksimumin dhe e kemi mundësinë të luajmë bashkë, që të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e nëntorit”, tha Mirjeta.

E për Sahare Berishën ndeshja testuese me Kombëtaren A do të jetë mundësi e mirë jo vetëm për t’u parapërgatitur për nëntor por edhe për ta dëshmuar veten: “Stërvitja ka qenë shumë e mirë dhe besoj se do të na shërbej për ta njohur më shumë njëra – tjetrën. Stërvitja ka qenë taktike dhe na ka ndihmuar të mësojmë se si t’i mbajmë pozitat tona. Sa i përket ndeshjes testuese me Kombëtaren A, kjo do të jetë mundësi e mirë për ne që ta tregojmë vetën pasi që secila prej nesh e shohim veten në ekipin A”, tha ajo.

Kosova ndodhet në Grupin e parë të Ligës A për kualifikimet Euro 2025 bashkë me Gjermaninë, Danimarkën dhe Greqinë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *