Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka deklaruar se shërbimi votues i KQZ-së ka përfunduar punën në vlerësimin dhe verifikimin e rreth 5 mijë e 700 pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur përmes postës nga 15 shtatori deri më 15 tetor.
Elezi tha se janë konstatuar 10 mijë e 934 zarfe të individualizuara me fletëvotime. Nga to, janë aprovuar 9 mijë e 610, ndërkaq janë refuzuar 1 mijë e 324.
“Brenda këtyre pakove të supozuara me fletëvotime janë konstatuar 10 mijë e 934 zarfe të individualizuara me fletëvotime. Nga procesi i vlerësimit nga shërbimi votues, janë aprovuar 9 mijë e 610 zarfe të individualizuara me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 324 të tilla pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore. Fletëvotimet që ndodhen brenda këtyre zarfeve do të numërohen gjatë fundjavës këtu në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka deklaruar Elezi.
Elezi deklaroi se votat me kusht dhe ato të personave me aftësi të kufizuara janë në fazën përfundimtare të verifikimit.
“Ndërsa, sa i përket votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta jemi në fazën gati përfundimtare të verifikimit para se të bëhet numërimi i tyre. Ka mbetur që të krahasohen votuesit me kusht me qytetarët që kanë votuar në vendvotimet e rregullta, në mënyrë që ta dimë nëse një person ka votuar dy herë: në vendvotimin me kusht, por edhe në vendvotimin e rregullt. Kjo është vepër penale”, ka deklaruar Elezi.
Po ashtu, Elezi ka njoftuar se janë duke u bërë përgatitjet për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për miratimin e planit operacional për organizimin e raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, ku përfshihen të gjitha aktivitetet që do të realizohen nga KQZ për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve”, ka deklaruar Elezi.