Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se pas përfundimit të votimit në vendvotime si dhe pas përfundimit të votimit jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës, i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi në një konferencë për media ka thënë se deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime; numërimin e votave me kusht; votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës.
“KQZ është e përkushtuar maksimalisht që të gjitha këto procese të kryhen në kohën më të shpejtë të mundur, por duke siguruar saktësi në evidentimin e vullnetit të çdo votuesi. KQZ sqaron se integriteti i votës nuk është i cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre. Procesin e numërimit të votave të kanidatëve për deputetë dhe verifikimin i votave të subjekteve politike, kemi filluar gjatë ditës së martë në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh”, ka thënë ai.
Ndërsa ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme, e mërkurë, në orën 16:00 është planifikuar të fillojë procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit në Komunat Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut, kurse në orën 13:00ka filluar numërimi në Hanin e Elezit.
“Në Qendrat Komunale të Numërimit, përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, do të bëhet verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të votave për subjektet politike. Ky verifikim është paraparë me aktet nënligjore që janë miratuar nga KQZ qysh para shpalljes së datës së zgjedhjeve dhe sigurisht se kjo do të heq të gjitha dilemat që janë krijuar gjatë problemeve në publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike”, ka thënë Elzei. .
Ndërkaq, lidhur me rezultatet preliminare të subjekteve politike dhe të pjesëmarrjes, që gjatë këtyre ditëve janë evidentuar pasaktësi, KQZ njofton se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet për të bërë përmirësimet e nevojshme dhe publiku do të njoftohet me kohë.