Enj. Jan 30th, 2025

Krasniqi: Rexhep Selimi e kishte rolin e inspektorit gjeneral të UÇK-së

Dëshmitari Naser Krasniqi deklaroi të mërkurën se Rexhep Selimi kishte rolin e inspektorit gjeneral të Ushtrië Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Këtë deklarim, dëshmitari Krasniqi e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe.

“Sipas asaj që dija unë dhe të tjerët në Brigadën 121, roli i zotit Selimi ishte inspektor gjeneral i UÇK-së”, tha dëshmitari.

Veç kësaj, Naser Krasniqi tha se brenda UÇK-së ka mundur që të ketë edhe veprime kundërshtuese, por që ai vetë është udhëhequr me parime morale dhe njerëzore.

“Kjo nuk do të thotë që brenda UÇK-së nuk kishte edhe veprime kundërshtuese ose individë që mund të kenë kundërshtuar, por tani nuk mund të jem specifik me raste. Çështja e zbatimit të vendimeve ose urdhrave e thash edhe më herët që lidhet me çështjen e ndërgjegjshmërisë dhe përgjegjshmërisë, dhe besimit në UÇK, dhe besimit në Shtabin e Përgjithshëm. Mua më shumë më kanë udhëhequr parimet morale e njerëzore sepse në atë periudhë e kam thënë se nuk kam qenë njohës i ligjit dhe nuk kam pasur asnjë lloj eksperience me natyrën e punëve të tilla”, tha dëshmitari.

Një pjesë e dëshmisë së dëshmitarit kaloi në përmbajtje të redaktuar për publikun, derisa gjyqtari Barthe po bënte pyetje.

Kurse, në pyetjet e gjyqtarit Guénawl Mettraux, dëshmitari tha se Jashar Salihu është tanimë i ndjerë, por që e ka njohur si figurë të rëndësishëm të Lëvizjes Popullore (LPK) në Zvicër. Ai shtoi se nuk e ka njohur nga afër por vetëm si figurë.

Po ashtu, dëshmitari tha se Jashar Salihu ka qenë edhe kryetar i fondit “Vendlindja thërret” që kishte për qëllim financimin e luftës çlirimtare.

“Nuk e di, nuk jam i sigurt”, u përgjigj dëshmitari, kur u pyet se a ka ushtruar ndonjë funksion tjetër Jashar Salihu brenda UÇK-së.

Përpara trupit gjykues, pyetje për dëshmitarin parashtroi edhe mbrojtja e Jakup Krasniqit e përfaqësuar nga avokatja Venkateswari Alagendra. Ndërsa, mbrojtja e Thaçit nuk pati pyetje.

Gjithashtu, nga deklaratat e dëshmitarit për mbrojtjen, prokurorja Vega Iodice tha se i duhen disa sqarime, andaj i bëri disa pyetje shtesë për dëshmitarin.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *