Kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dhënë informacione shtesë sa i përket rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë. Ai ka thënë se informacionet e para që ka flasin se viktima është dhunuar që një vit dhe për këtë ka edhe persona tjerë të dyshuar që ende nuk janë arrestuar.
“Indikacionet e para apo informatat janë se kjo e mitur është dhunuar për më shumë se një vit. Unë kërkesën kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës i kam bërë drejtpërdrejt në mënyrë që të gjithë të përfshirit në këtë rast të thirren në cilësinë e dëshmitarit në mënyrë që institucionet e Kosovës dhe publiku të informohen drejtë mbi atë se çfarë ka ndodhë, se çfarë institucionet kanë ndërmarrë dhe po ndërmarrin dhe po ashtu sa më shpejt të jetë e mundur të dalin me të gjeturat e këtij rasti jashtëzakonisht të rëndë”, ka deklaruar Sveçka.
Në këtë rast, sipas tij janë përfshirë qoftë Prokuroria, qoftë Qendrat për Punë Sociale, qoftë Policia, por edhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë.
“Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur së pari këtë të mitur e më pas për të identifikuar atë se çfarë ka ndodhur, por edhe për identifikimin e dhunuesve që fatkeqësisht nuk janë arrestuar të gjithë”, ka thënë ai.
Deri më tani për këtë rast janë arrestuar 11 persona.