Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se do ta mbyllë veprimtarinë e rrjetit televiziv Al-Jazeera, me seli në Katar. Ky vendim, sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës në Jerusalem Linda Gradstein, po bëhet sipas një ligji të ri, që mundëson mbylljen e mediave të huaja të cilat konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare.
Kryeministri izraelit zotohet të mbyllë rrjetin televiziv Al Jazeera në Izrael
Kryeministri izraelit zotohet të mbyllë rrjetin televiziv Al Jazeera në Izrael
The code has been copied to your clipboard.
Përmes platformës X, Kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi se synon të veprojë me shpejtësi në përputhje me ligjin e ri për të mbyllur, siç e quajti ai, “kanalin terrorist” të Al Xhazirës në Izrael.
Ai tha se Al Jazeera vepron kundër sigurisë së Izraelit dhe e akuzoi kanalin televiziv se ishte pjesëmarrës aktiv në masakrën e Hamasit me 7 tetor, duke nxitur dhunë kundër ushtarëve izraelitë.
Parlamenti izraelit, i njohur si Knesset, e miratoi ligjin me 71 vota pro dhe 10 kundër.
“Ligji për të parandaluar dëmin që transmetuesit e huaj i shkaktojnë sigurisë së shtetit, një urdhër i përkohshëm i lidhur me operacionin “Shpata e Çeliktë” të vitit 2024, miratohet në leximin e dytë dhe të tretë. Si i tillë, ligji shpallet në gazetën zyrtare,” deklaroi nënkryetari i Knessetit, Erez Malul.
Al Jazeera tha se pretendimi i zotit Netanyahu se rrjeti televiziv ishte nxitës dhune është “një gënjeshtër absurde dhe të rrezikshme”. Zyrtarët e këtij rrjeti televiziv thonë se mbajnë përgjegjës kryeministrin Netanyahu për sigurinë e punonjësve dhe zyrave të tyre.
Rrjeti televiziv, që ka më shumë se 430 milionë shikues në mbarë botën, tha se do të vazhdojë me atë që e cikësoi si mbulim të guximshëm dhe profesional të zhvillimeve.
Analistët izraelitë të mediave thonë se ligji i ri është i justifikuar.
“Njerëzit përreth botës nuk e kuptojnë që Al Jazeera është media shtetërore e Katarit dhe se promovon një agjendë shumë armiqësore ndaj Izraelit. Kanë bërë shumë raportime jokorrekte gjatë tërë luftës dhe autoritetet izraelite duan të parandalojnë dëmet e mëtejshme,” thotë drejtori i organizatës “Raportimi i Sinqertë”, Gil Hoffman.
Por drejtori Hoffman shton se ndalimi i tij ka gjasa të ketë thjesht një ndikim simbolik për qeverinë e zotit Netanyahu, që po përballet me protesta të ashpra brenda dhe jashtë Izraelit.
“Ndalimi ka një afat 45 ditor. Dhe ndonëse mund të përtërihet, ai mund të përdoret vetëm gjatë luftës dhe izraelitët shpresojnë që lufta të përfundojë se shpejti. Besoj që ky ndalim do të përdoret vetëm një herë për të bërë bujë. Al Jazeera do të vazhdojë të transmetojë nga këtu,” thotë ai.
Administrata amerikane reagoi për vendimin.
“Një veprimi i tillë është shqetësues. Ne besojmë në lirinë e shtypit. Është i rëndësisë jetike. Shtetet e Bashkuara përkrahin punën shumë të rëndësishme që gazetarët bëjnë përreth botës dhe kjo përfshin edhe gazetarët që po raportojnë mbi konfliktin në Gazë,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Ligji i ri u miratua në një kohë kur Katari po bën përpjekje të ndërmjetësojë një marrëveshje për lirimin e dhjetëra pengjeve izraelite në këmbim të një armëpushimi të përkohshëm. Disa analistë thonë se ligji i ri mund t’i ndërlikojë këto përpjekje.