Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati sot një drekë pune me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, i cili po zhvillon vizitën e gjashtë të tij në Kosovë.
Diskutuan për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe perspektivat për avancimin, themelimin dhe fuqizimin e tyre.
Kryeministri Kurti i shprehu edhe një herë ngushëllime ministrit Dendias dhe popullit grek për jetët e humbura në aksidentit tragjik që ndodhi në Greqi në javën e parë të marsit.
Ata folën për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për propozimin evropian për Marrëveshje Bazë. Me këtë rast kryeministri Kurti e njoftoi ministrin Dendias për takimin e 27 shkurtit në Bruksel dhe pritjet e Kosovës nga takimi i 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.