Mër. Nën 27th, 2024

Kryeministrja e Bangladeshit jep dorëheqjen, largohet nga vendi pas trazirave

Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina dha sot dorëheqjen dhe u largua nga vendi, duke i dhënë fund pushtetit të saj 15 vjeçar pasi mijëra protestues anti-qeveritarë kundërshtuan një shtetrrethim ushtarak dhe sulmuan rezidencën e saj zyrtare.

Banlgadeshi po përballet me trazirat më të dhunshme që nga themelimi i vendit në Azinë Jugore më shumë se pesë dekada më parë. Qindra protestues u vranë dhe mijëra janë plagosur e arrestuar.

Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina u largua nga vendi pak pasi dha dorëheqjen. Disa orë më vonë një turmë e madhe protestuesish kundër qeverisë hynë me forcë në rezidencën e ish-shefes së ekzekutivit.

Komandanti i ushtrisë, Gjenerali Waker-Uz-Zamanan dha lajmin për dorëheqjen e Kryeministres Hasina në një fjalim drejtuar kombit, ndërsa paralajmëroi formimin e një qeverie të përkohshme.

“Vendi po kalon në një periudhë revolucioni”, tha gjenerali 58 vjeçar që mori drejtimin e ushtrisë së fundmi, më 23 qershor.

“Premtoj drejtësi për viktimat. Kërkojmë nga ju të keni besim në ushtrinë e vendit, të tregoheni të durueshëm, sepse na duhet kohë që së bashku t’i zgjidhim të gjitha problemet”, shtoi ai.

Mediat njoftojnë se 76 vjeçarja Hasina u largua nga vendi së bashku me motrën e saj në drejtim të Indisë.

Gjithçka nisi me protestat paqësore të studentëve të cilën kërkonin që t’i jepej fund një sistemi që u garantonte një kategorie të caktuar njerëzish një përqindje të vendeve të punës në qeveri. Me kalimin e ditëve këto protesta u rritën dhe u shndërruan në demonstrata për largimin nga pushteti të partisë ‘Liga Awami’.

Qeveria u mundua të shtypë me forcë protestat, duke lënë gati 300 njerëz të vrarë.

Kjo rriti zemërimin e protestuesve dhe shtoi thirrjet për largimin e kryeministres e cila në janar fitoi mandatin e saj të katërt në zgjedhjet e kontestuara dhe të bojkotuara nga opozita.

Megjithëse protestat u ndezën nga zemërimi i studentëve kundër sistemit të punësimeve në qeveri, disa analistë thonë se ato u nxitën nga kushtet e rënduara ekonomike, inflacioni i lartë dhe papunësia.

Të paktën 11 mijë njerëz janë arrestuar gjatë javëve të fundit.

Kritikët e kryeministres Hasina dhe grupet për të drejtat e njeriut e kanë akuzuar qeverinë për përdorim të tepruar të forcës kundër protestuesve, akuza që ajo dhe kabineti i saj i kanë mohuar.

“Ata që shkaktojnë dhunë nuk janë studentë, por terroristë që duan ta destabilizojnë vendin”, tha Kryeministrja Hasina.

Hasina është udhëheqësja më jetëgjatë në historize e Bangladeshit, një vend me shumicë myslimane me mbi 160 milionë banorë dhe një pozitë strategjike mes Indisë dhe Mianmarit.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *