Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar Kryeministrit Albin Kurti, i cili fajësoi opozitën për shtyrjen e zgjedhjeve, në takimin me strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Bajrami ka thënë se VV’së është në panik sepse i ka dështuar “nisma për ta instrumentalizuar dhe nënshtruar opozitën me zgjedhje e duke u shitur viktimë”.
Tutje, ajo ka thënë se në zgjedhje do të shkohet duke i kërkuar llogari Kurtit për mashtrimet dhe propagandën, derisa ka thënë se në qeverisjen e Kurtit asnjë rrugë s’është përfunduar, çerdhet e premtuara s’janë përfunduar, rryma është shtrenjtuar e ka përmendur edhe tenderët njëburimorë.
“Asnjë banesë për çiftet e reja. Asnjë rrugë e përfunduar. Me dy-tri çerdhe të nisura e 160 të premtuara. Me shtrenjtim të rrymës. Me dështime të njëpasnjëshme në arsim e shëndetësi. Me asnjë rezultat në ekonomi. Me tendera njëburimor për çdo ditë. Tash partia në pushtet është në panik sepse i dështoi nisma për ta instrumentalizuar dhe nënshtruar opozitën me zgjedhje e duke u shitur viktimë. Në zgjedhje do të shkojmë duke të kërkuar llogari për mashtrimet dhe propagandën dhe jo duke mashtruar se nuk iu la opozita të punoni”, ka shkruar Bajrami.