Sht. Nën 23rd, 2024

Kurti: Instituti për Krime të Luftës do të merret edhe me krimet që kanë çuar drejt luftës, por edhe me to pas saj

Kryeministri Albin Kurti i ka përmendur tri çështje që kanë të bëjnë me Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

“Dua t’i përmend tri çështje kryesore. E para është që drejtori i institutit do të emërohet nga kryeministri. Ky përjashtim është i njëjtë me atë të përdorur në projektligjin për agjencinë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar apo atë për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë”, ka thënë Kurti në foltoren e Kuvendit.

“Qëllimi është që të potencohet rëndësia që qeveria i jep hulumtimit dhe dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Përderisa instituti do të funksionojë nën ombrellën e zyrës më të lartë të Ekzekutivit, i njëjti do t’i dërgojë raport njëherë në vit edhe Kuvendit të Kosovës, edhe presidentes së republikës, e kjo me qëllim të bashkërendimit sa më të mirë ndërinstitucional në çështje të këtilla të rëndësisë shtetërore që kanë të bëjnë me të vërtetën dhe drejtësinë”.

“Ne nuk mund të kemi paqe të qëndrueshme dhe as siguri afatgjatë pa të vërtetën dhe pa drejtësinë e në funksion të së vërtetës dhe të drejtësisë do të jetë ky institut. Periudha e luftës nuk është se preket me këtë ligj. Është informacion zyrtar kur ka filluar dhe ka mbaruar lufta, pra periudha e luftës mbaron në muajin qershor 1999 dhe si e këtillë është e përkufizuar me këtë ligj, më saktësisht pajtohem, do të duhej të ishte 20 qershori, atëherë kur është tërhequr edhe personi i fundit i uniformuar i Serbisë përkatësisht Jugosllavisë nga vendi ynë”.

Kurti ka thënë që ky institut nuk do të merret vetëm me krimet që janë kryer gjatë luftës por edhe me ato krime që kanë çuar drejt luftës, dhe ato që kanë ndodhur menjëherë pas përfundimit të saj.

“Përtej kësaj, institutin kemi obliguar që të merret me veprimin e krimit që kanë shpënë te lufta, duke e dëshmuar kauzën e popullit shqiptar në Kosovë për çlirim sepse ka edhe krime në vitin 1996 që nuk janë ordinere por kanë shpënë te lufta. Në vitin 1997 po ashtu”.

“Ta zëmë nuk është në rregull të përjashtohet vrasja e mësuesit Geci në fund të nëntorit të vitit 1997 vetëm për shkak se tashmë edhe me Ligjin për Personat e Zhdukur e kemi përcaktuar si fillim 1 janarin e vitit 1998. Pra nuk dëshirojmë t’i përjashtojmë as ato”.

“Madje, këdo që e përcakton si datë, gjithmonë ke një vrasje politike më herët. Është vrasja e studentit Armend Daci më 1996-ën e kështu me radhë”.

“Nuk dëshirojmë t’i përjashtojmë as këto vrasje që kanë shpënë te lufta, por njëkohësisht edhe ato të cilat mund të kenë ndodhur më pas dhe kemi thënë që mund të trajtohen edhe krimet e tjera që ndërlidhen me luftën pas periudhës së luftës me kufizim të datës dhjetor të vitit 2000 brenda së cilës do të trajtohen edhe personat e zhdukur të për të cilët sot 23 vjet pas luftës nuk dihet për fatin e tyre”.

“Gjithashtu edhe vrasjes në shkurt të viti 2000 që kanë ndodhur në veri të Mitrovicës nuk kanë qenë thjesht vrasje ordinere. Janë vrasje politike të cilat janë kryer nga strukturat e mbetura ilegale të trashëguara nga regjimi i Millosheivqit edhe atëherë kur janë tërhequr forcat e Serbisë.

“Pra fakti që janë tërhequr forcat e Serbisë, nuk kanë shkuar të gjitha strukturat e Serbisë”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *