Sht. Nën 23rd, 2024

Kurti mirënjohës ndaj agjencive të OKB-së për mbështetjen e dhënë Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, ka marrë pjesë në punëtorinë planifikuese të Ekipit të Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ku ishin të pranishme edhe Drejtorja rajonale për Evropë dhe Azi Qendrore të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Zhvillimit (UNDCO), Gwi Yeop Son dhe Koordinatorja për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës të gjitha organizatat e Kombeve të Bashkuara që veprojnë këtu.

“Që nga viti i kaluar agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë qenë në ballë të frontit të luftës kundër pandemisë COVID-19 dhe ne kemi përfituar nga angazhimi i tyre aktiv dhe koordinimi i afërt me partnerët e tjerë”, tha kryeministri Kurti. Ne nuk do të mund të reagonim me shpejtësi ndaj krizës pa mobilizimin nga partnerët tanë të zhvillimit dhe pa punën e agjencive të KB-së. Këtu përfshihen edhe përpjekjet jetike të vaksinimit, shtoi ai.

Disa nga fushat ku presim angazhim të agjencive të OKB-së, duhet të përqendrohen drejt zhvillimit të qëndrueshëm, tha kryeministri. Këtu, theksoi ai, përfshihen shëndetësia, ambienti, kohezioni dhe integrimi social.

Kryeministri foli për pengesat politike dhe mungesën e perspektivës zhvillimore, të cilat e ngadalësojnë bashkëpunimin me agjencitë e OKB-së.

“Duke pasur parasysh se Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së, pra nuk është në gjendje t’i ushtrojë të gjitha mundësitë që kanë anëtarët e tjerë të OKB-së”, tha ai dhe shtoi se “qëllimi ynë është të kapërcejmë këto pengesa dhe të ecim përpara”.

“Për këtë, ne kemi nevojë para së gjithash, për dialog dhe diskutim të hapur me partnerët tanë në mënyrë që të mund të harmonizojmë prioritetet dhe qëllimet tona, duke integruar njëkohësisht agjendën kombëtare të zhvillimit, agjendën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe agjendën e integrimit evropian”, tha kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti:

E nderuar Koordinatore e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, zonja Richardson,

E nderuar Drejtore Rajonale e UNDCO për Evropën dhe Azinë Qendrore, zonja Gwi

I nderuar Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, zotëri Zanin,

Të nderuar pjesëmarrës dhe mysafirë,

Është kënaqësi të jem këtu dhe të ju drejtohem pjesëmarrësve dhe mysafirëve sot.

Neve, sot, Zyra Koordinuese për Zhvillimit e OKB-së, na ka sjellë së bashku me përfaqësues nga agjenci të ndryshme të OKB-së, organizata të tjera, si dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Më lejoni së pari të shpreh mirënjohjen time për mbështetjen që Kosova ka pasur nga të gjitha organizatat e OKB-së ndër vite. Gjatë këtij viti të kaluar agjencitë e OKB-së kanë qenë në ballë të luftës kundër pandemisë Covid-19 dhe ne kemi përfituar nga angazhimi i tyre aktiv dhe koordinimi i ngushtë me partnerët e tjerë.

Ne nuk do të ishim në gjendje të reagonim shpejt ndaj krizës nëse nuk do të kishte mobilizim nga partnerët tanë të zhvillimit dhe pa punën e agjencive të OKB -së. Kjo përfshin përpjekjet vitale të vaksinimit.

Më lejoni të them gjithashtu se koha e kësaj ngjarje përkon mirë me përpjekjet tona.

Qeveria ime ka hartuar dhe parashtruar një numër prioritetesh të cilat do të ndihmojnë në orientimin e partnerëve tanë dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet tona.

Në të njëjtën kohë, siç e dini mirë, ne jemi duke punuar mbi krijimin e një agjende afatgjate të zhvillimit për vendin tonë. Strategjia jonë Kombëtare e Zhvillimit 2030 paraqet kornizë të qartë për planifikimin strategjik dhe përcakton qëllimet më të rëndësishme për dekadën e ardhshme.

Kjo do të jetë si plotësim ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të vendosura për vitin 2030. Kam nderin të raportoj se shërbimet tona tashmë po punojnë me agjencitë e OKB-së për të siguruar përafrim me agjendën kombëtare të zhvillimit.

Në veçanti, dua të theksoj se disa nga fushat ku ne presim angazhim nga Agjencitë e OKB-së duhet të jenë zhvillimi i qëndrueshëm, duke përfshirë këtu shëndetin, mjedisin si dhe integrimin dhe kohezionin social.

Sidoqoftë, ne shpresojmë dhe presim që Agjencitë e ndryshme të OKB-së, do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetjen dhe ekspertizën e tyre për institucionet tona në fushat e tyre të ekspertizës dhe më gjerë.

Rritja ekonomike nuk është zhvillim ekonomik në vetvete. Varet nga struktura e ekonomisë. Dhe sërish, zhvillimi nuk është i sigurt e as i garantuar sapo të fillojë: që të zgjasë për t’u bërë zhvillim i qëndrueshëm, zhvillimi ka nevojë për drejtësi sociale. Ekonomia jonë në Kosovë do të rritet: në rishikimin e buxhetit të mesit të vitit ne parashikojmë një prospekt prej 7,9 % të BPV-së si rritje ekonomike për vitin 2021. Në shtatë muajt e parë të këtij viti, në krahasim me vitin 2020, në të njëjtën periudhë kohore kemi një rritje të eksporteve prej 63%, të qarkullimit të biznesit prej 30% dhe të të hyrave të qeverisë prej 28%. E gjithë kjo pa ndryshuar politikën fiskale.

Këtë rritje ekonomike duhet ta përkthejmë në zhvillim të qëndrueshëm dhe për këtë qëllim mezi presim të kemi bashkëpunim të ngushtë.

Është e rëndësishme të përmendet sot se qeveria jonë dëshiron t’i zvogëlojë përpjekjet e dyfishta nga burime të ndryshme financimi dhe t’i zvogëlojë kostot e menaxhimit për zbatimin e projekteve.

Për këtë qëllim, duke u bazuar në përvojën tonë të mëparshme të delegimit të zbatimit të projekteve të donatorëve tek agjencitë zbatuese, shpresojmë që agjencitë e OKB-së të bëhen si një qendër për zbatimin e projekteve nga fonde të shumëfishta nga partnerët tanë.

Ministritë dhe agjencitë tona do të vazhdojnë dialogun e tyre të drejtpërdrejtë për të siguruar që kur të hartohet një projekt, ta identifikojmë mundësinë për zbatim përmes agjencive të OKB-së dhe agjencive të tjera të specializuara zbatuese të vendeve dhe organizatave të partnerëve tanë.

Do të tregohesha i shkujdesur nëse nuk do thosha se kemi shumë pengesa në rrugën tonë, disa politike por disa edhe nga perspektiva e zhvillimit, të cilat mund ta pengojnë bashkëpunimin tonë.

Them pengesa politike, duke pasur parasysh se Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së, pra nuk është në gjendje t’i ushtrojë të gjitha mundësitë që kanë anëtarët e tjerë të OKB-së. Dhe nga perspektiva e zhvillimit, ne përballemi me pengesa sistemike që rrjedhin nga mungesa e planifikimit të duhur të politikave dhe vonesat institucionale, ndonjëherë duke e vështirësuar përfitimin e plotë nga fondet dhe projektet e zbatuara nga agjencitë e OKB-së.

Qëllimi ynë është të kapërcejmë këto pengesa dhe të ecim përpara. Për këtë, ne kemi nevojë para së gjithash, për dialog dhe diskutim të hapur me partnerët tanë në mënyrë që të mund të harmonizojmë prioritetet dhe qëllimet tona, duke integruar njëkohësisht agjendën kombëtare të zhvillimit, agjendën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe agjendën e integrimit evropian.

Kjo është rruga jonë përpara dhe ne me kënaqësi do të punojmë me ju për të arritur këto synime së bashku.

Edhe një herë, faleminderit për mbështetjen tuaj dhe ju uroj takim të suksesshëm

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *