Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se ministri Elbert Krasniqi e ka ftuar në takim ekipin menaxhues për draft-statutin e Asociacionit, por ata nuk i janë përgjigjur.
Kurti ritheksoi edhe njëherë urgjente është çështja e të zhdukurve me dhunë. I pari i Qeverisë tha se Bashkimi Evropian duhet të bëjë trysni mbi Serbinë që teksti i dakorduar në Ohër të shndërrohet në marrëveshje.
Këto komente ai i bëri pas homaxheve në Mejë, në nderim të të vrarëve në këtë masakër 24 vjet më parë.
“Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i ka ftuar në takim, atë ekipin menaxhues, por ata nuk janë përgjigjur, pra është kjo ministri në kuadër të Qeverisë e cila merret për së afërmi me ekip menaxhues për draft-statutin siç është bërë marrëveshja dikur në Bruksel, e siç është ndryshuar përbërja në Qeveri, para se të bëhesha unë sërish kryeministër, por me datën 2 maj, në bazë të tekstit të marrëveshjes së Brukselit, e cila e fitoi edhe aneksin e zbatimit në Ohër, çështje urgjente është çështja e të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë”, tha Kurti.
“Unë kërkoj që teksti i dakorduar tashmë të shndërrohet në marrëveshje, sa i përket Kosovës dhe ne gjithçka është e qartë dhe e garantuar, por ndërmjetësit evropianë do të duhej të bënin trysni mbi palën tjetër. Shenjat nuk janë të mira për konstruktivitet kur dimë që pikërisht në Batajnicë në varrezën masive ku nuk ka asnjë pllakë, asnjë shënim që aty ka pasur dikur varrezë masive, organizohet paradë ushtarake e ku ftohen edhe kriminelët serbë nga veriu i Kosovës, edhe lideri seperatist e destruktiv i serbëve të Bosnjës, Dodjik. Këto shenja nuk janë të mira, mirëpo me palën tjetër nuk do të mund merremi ne sepse nuk kemi juridiksion mbi Beogradin, këtë duhet ta bëjë Bashkimi Evropian”.