Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar si hap të rëndësishëm nënshkrimin e memorandumit trilateral mes Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë në fushën e mbrojtjes.
“Hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon, përmes mbrojtjes, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të vendeve tona paqedashëse, me deklaratën trepalëshe për aleancë ushtarake të nënshkruar sot në Tiranë ndërmjet ministrit tonë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Pirro Vengu dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anušić”, ka shkruar ai në facebook.
Në Tiranë sot u nënshkrua kjo marrëveshje në mes të ministrit kosovar, Ejup Maqedonci, ministri i Shqipërisë, Pirro Vengu, ai i Kroacisë Ivan Anushi.
Kjo marrëveshje synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tre vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.