Pre. Sht 20th, 2024

Kurti për ngritjen e shtatores së Fahri Fazliut: Mospajtimi me Serbinë okupatore e karakterizoi veprimtarinë e tij

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka qenë i ftuar të marrë pjesë në ngritjen e shtatores së dëshmorit të kombit, Fazli Fazliu, në qytetin e Obiliqit.

Në pamundësi të jetë i pranishëm, Kurti ka përshëndetur të pranishmit përmes një letre, të cilën në emër të tij e lexoi moderatorja e ceremonisë.

Kurti tha se ishte vetëdija e kulluar politike për liri, tradita e mospajtimit me Serbinë okupatorë si dhe përpjekja e pandalur e lufta e vazhdueshme për çlirim, të cilat e kanë karakterizuar veprimtarinë e Fahri Fazliu.

closevolume_off
“Në radhë të parë, dua të them që kanë qenë pikërisht vetëdija e kulluar politike për liri, tradita e mospajtimit me Serbinë okupatore si dhe përpjekja e pandalur dhe lufta e vazhdueshme për çlirim, të cilat e kanë karakterizuar veprimtarinë e Fahri Fazliut dhe shokëve të tij, ato ideale që në fund e kanë çliruar Kosovën më 1999 dhe e kanë mundësuar shtetin e pavarur të Kosovës më 2008. Kërkesa “Kosova Republikë”, e thirrur nga Fahriu dhe mijëra të tjerë gjatë demonstratave të vitit 1981, nga një parullë popullore dominante e kohës tani është realitet politik me Republikën e Kosovë. Fryma patriotike dhe përkushtimi në aktivizëm, të shoqëruara nga përgatitja teorike dhe konsistenca në vlerat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare si një lëvizje nacionale emancipuese, në mënyrat siç i gjejmë të ndërthurura në mendim dhe veprim te Fahriu e te shokët e tij, janë platformë për ide dhe burim frymëzimi për secilin që i hynë rrugës së aktivizmit politik për Kosovën dhe çështjen kombëtare shqiptare”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Përveç Fahri Fazliut, në letrën e Kurtit u përmend edhe veprimtaria patriotike e Afrim Zhitisë.

“Ardhmëria jonë politike është e matshme me nivelin e besnikërisë ndaj rrugës së dëshmorëve dhe me trajtat e vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë që tregojmë në këtë rrugëtim. Kushdo që e ka njohur veprimtarinë e Fahriut, e di që ajo është e pashqitshme nga ajo e Afrim Zhitisë, bashkë me të cilin luftoi edhe në ditën e rënies së tyre të përbashkët më 2 nëntor 1989. Se sa e pastër dhe e lartë ishte veprimtaria patriotike e Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë, mund të kuptohet edhe nga trashëgimia e drejtpërdrejtë e tyre politike. Ata që i pasuan Fahriun dhe Afrimin në rrugën e tyre, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, Ilir Konushevci dhe deri te Zahir Pajaziti, janë disa nga profilet e luftëtarëve më të paepur për lirinë e Kosovës”, thuhet tutje.

“Lavdi dëshmorit të lirisë së kombit dhe atdheut Fahri Fazliut, lavdi Afrim Zhitisë, Bahri Fazliut e Agron Rrahmanit, Zahir Pajazitit e Ilir Konushevcit dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!”, thuhet në përmbyllje të letrës.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *