Die. Nën 24th, 2024

Kurti thotë se po luftojmë fashizmin e Moskës: Kemi dëshmi për praninë e njësisë Wagner në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin holandez, NRC, i pyetur për pakënaqësitë e banorëve serbë në veri të Kosovës, pakënaqësi këto të cilat rezultuan me largimin e tyre nga institucionet e Kosovës dhe vendosjen e barrikadave në veri, tha se “paraardhësit e tij kishin një lloj marrëveshjeje gjentëllmene, përmes së cilës mbaheshin strukturat ilegale serbe”.

“Unë nuk marr pjesë në këtë. Barrikadat e tyre nuk janë kryengritje studentore pariziane, ata udhëhiqen nga njerëz të gatshëm luftarak, të uniformuar, të maskuar dhe të armatosur që veprojnë. Në emër të Beogradit, kriminelët e luftës dhe kriminelët e zakonshëm janë bashkuar. Kjo është e rrezikshme për jetën”, tha Kurti.

Ai më tutje theksoi se bëhet fjalë për një konflikt ekzistencial, i cili sipas tij nuk është duke u zhvilluar vetëm mes vendit të tij të brishtë dhe regjimit në Beograd.

“Një slogan që shohim mes serbëve është: ‘lutju Zotit dhe beso në Rusi’. Askund në Evropë mbështetja për Putinin nuk është kaq e madhe. Kjo është ajo që ne luftojmë: fashizmin e Moskës dhe aleatët.”

Ai i cilësoi protestat në veri si “jo autentike”.

“Njerëzit po sillen me autobusë nga Serbia për të udhëhequr barrikadat. Ne kemi dëshmi se këta janë njerëz të maskuar me shenja të milicisë ruse Wagner, Ujqërit e Natës (një bandë motorike ruse besnike ndaj Putinit) dhe të ashtuquajturës Brigadë Veriore”.

Kurti thotë se nuk mund t’i ndajë këto dëshmi sepse “pozicioni nga i cili janë marrë fotot dhe videot mund të tradhtojë burimet tona”.

“Këto dëshmi janë dërguar në Prokurori. Ne do të duhet të vendosim sundimin e ligjit në veri të Kosovës për të trajtuar realisht paligjshmërinë atje”, tha Kurti.

Përveç kontrabandës dhe krimit, thesari i shtetit është i prekur kryesisht nga fakti se askush në veriun serb nuk paguan për furnizimin me energji elektrike.

“Ne kemi gjakderdhje financiare pikërisht për këtë arsye. Ne i dhamë një licencë kompanisë së tyre të energjisë dhe bëmë një marrëveshje në qershor për ta zgjidhur këtë, por kjo nuk po realizohet. Autokratët e shohin bujarinë tonë si dobësi”, tha Kurti.

I vetmi autoritet që serbët dhe Kurti i besojnë në veri është ai i NATO-s.

“Nuk kam problem me serbët atje, por me fqinjin tonë verior. Përderisa Vuçiq nuk mund të distancohet nga gjenocidi i mëparshëm serb, do të duhet të presim për atë të radhës. Nëse NATO nuk do të ishte këtu, serbët do të na masakronin përsëri. Nuk e di nëse janë të aftë për këtë, por e di që do ta kishin qëllimin”, tha Kurti.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *