Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka treguar se çfarë ka folur me liderët e vendit gjatë vizitës së tij të sotshme në Kosovë.
Ai ka thënë se fokusi i BE-së muajt e ardhshëm do të jetë në zgjedhjet atje dhe se për këtë ka ardhur të vizitojë Kosovën që të dihet se sa shumë progres mund të bëhet në procesin e dialogut.
“Për të diskutuar dhe sa proges mund të arrijmë para se Evropa të futet në zgjedhje, e dini se falë dialogut kemi pasë rezultate të rëndësishme në fund të vitit të kaluar marrëveshja për energjinë, po ashtu edhe njohjen e targave dhe përfundimin e regjimit të tiketave për targa, por kishim një përparim të vogël sa i përket normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Lajçak.
Lajçak ka thënë se pyetja e vetme që duhet të bëhet tani për Marrëveshjen e Ohrit është se kur duhet të fillojë zbatimi i saj.
Ndër tjera, ai ka shtuar se çfarë është biseduar me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, do ta analizojë dhe do t’ua dërgojë shteteve anëtare të BE-së.
Po ashtu, Lajçak deklaroi se sulmi në Banjskë vazhdon të përmendet më çdo takim me të dyja palët, duke thënë se e ka përmendur edhe në Beograd, gjatë ditës së djeshme.