Mër. Tet 30th, 2024

LAJMET E ZGJERUARA DITORE, E DIEL 25.10.2020

Deklarimi i Osmanit se nuk do ta respektojë moratoriumin, shihet si luftë politike

Deklarimi i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit, se institucioni që ajo udhëheq nuk do ta përfillë moratoriumin për aplikim në organizata ndërkombëtare po shihet si luftë politike mes saj dhe kryeministrit.
Megjithatë, vlerësohet se Osmani aplikimin në organizata ndërkombëtare nuk mund ta bëjë e vetme, pasi që, siç thotë Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, shumica e aplikacioneve kërkojnë të shkohet nëpërmjet Qeverisë ose të ketë një koordinim të ngushtë ndërmjet të gjitha institucioneve kryesore në vend.

Përkundër aktakuzës, Aeroporti nuk e ka larguar nga puna zyrtarin që rrezikoi dhjetëra pasagjerë

Martin Alekov, mbikëqyrës i sistemit automatik në Aeroportin e Prishtinës, është duke vazhduar të punojë në ANP ndonëse ndaj tij, në prill të këtij viti, është ngritur aktakuzë.
Alekovi dyshohet se gjatë grevës së punëtorëve të Aeroportit, duke rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit e sigurinë e aviacionit civil, ka lejuar kalimin e afro 100 bagazheve në depon e aeroplanit pa kontrollin e nevojshëm.
Sipas burimeve të KOHËS në Aeroport, ndaj Alekovit nuk është ndërmarrë ndonjë veprim, përkundër shkeljeve të bëra,.

Punëtorët shëndetësorë hyjnë në grevë nga java e ardhshme

Për mosdhënien e pagave shtesë nga 300 euro për punonjësit shëndetësor, teknik dhe vozitës, nga java e ardhshme nisin grevat për bojkotimin e punës.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privatë, Jusuf Azemi thotë për KosovaPress, se punëtorët teknik, vozitësit, si dhe sigurimi nëpër spitalet e Kosovës po ballafaqohen direkt me pacientët që janë apo potencialisht mund të jenë të prekur me COVID-19, andaj siç thekson ai, ata duhet trajtuar njëjtë me mjekët dhe infermierët kur bëhet fjalë për pagesën shtesë prej 300 eurove.
Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për të hyrë në grevë. Tani kemi një presion nga punëtorët teknik që punojnë në qendrat e mjekësisë familjare dhe në qendrat klinike universitare. Definitivisht që të gjithë janë pro grevës, edhe pse në SShKUK ka ende një hezitim për t’iu bashkëngjitur grevës, shpresojmë se do të koordinohemi edhe me ata dhe javën tjetër do të fillojmë me një grevë tërë ditore. Ka pasur afat të mjaftueshme Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë. Ne kemi bërë me dije se do të ndalim shërbimet tona dhe këto shërbime nga java tjetër do të ndërpriten”, tha Azemi.
Kreu i kësaj sindikate ka treguar se vetëm rastet emergjente do të trajtohen, ndërsa të gjithë shërbimet tjera do të ndërpriten.
“Që nga mëngjesi deri pasdite nuk do të punohet fare. Do të punohet vetëm me rastet emergjente, ndërsa të gjitha shërbimet tjera do të ndërpriten dhe përgjegjësinë do ta mbajnë ata që kanë për obligim. Të jemi të barabartë me të gjithë punëtorët, mjekë, specializant në kushte të barabarta”, thotë ai.
Kujtojmë se protesta me këto kërkesa janë mbajtur në QKMF në Podujevë, SHSKUK, Ferizaj dhe në komuna të tjera.

Dy të vdekur dhe 186 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Dy persona kanë vdekur në Kosovë si pasojë e COVID-19 në 24 orët e fundit, ndërsa janë regjistruar edhe 186 raste të reja.
Numri total i të vdekurve si pasojë e COVID-19 në Kosovë ka arritur në 663, ndërsa i të infektuarve në 17.943.
IKSHK-ja ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë testuar 1049 mostra, e prej tyre 186 kanë rezultuar pozitive.
Në Prishtinë janë regjistruar 72 raste të reja, në Gjilan 20, në Fushë Kosovë 17, në Gjakovë 15, në Vushtrri nëntë, në Skenderaj tetë, në Pejë shtatë, në Ferizaj gjashtë, në Mitrovicë gjashtë, në Lipjan pesë, në Obiliq katër, në Drenas tri, në Prizren tri, në Deçan dy, në Suharekë dy dhe nga një rast në Istog, Kamenicë, Klinë, Malishevë, Podujevë, Rahovec e Shtime.
Po ashtu në 24 orët e fundit janë shëruar 54 pacientë, duke çuar numrin e të shëruarve në 15.088. Raste aktive janë 2192.

Hoti shpalos çështjet që diskutohen në mbledhjen e përbashkët të qeverive Kosovë – Maqedoni e Veriut.

Kryeministri Avdullah Hoti ka treguar për çështjet që do të diskutohen në mbledhjen e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut.
Hoti në Facebook ka shkruar se me kreyministrin Zaev u dakorduan mbi, “pikën e përbashkët kufitare, ku lidhet autostrada Prishtinë-Shkup, gazsjellësin Shkup-Prishtinë, rrugën Prizren-Tetovë qendër të përbashkët skijimi”.
Dy ditë më parë, Hoti ka qëndruar në vizitë në Maqedoninë e Veriut, nga ku përveç tjerash ka marrë mbështetjen e kryeministrit Zoran Zaev për procesin e dialogut me Serbinë.
Të dy u pajtuan se marrëdhëniet e mira mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut do të sillnin sukses për rajonin, ndërsa shtuan se posa të krijohen kushtet epidemiologjike do të zhvillonin mbledhjen e dy qeverive.

Katër të vdekur nga koronavirusi në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit

Katër persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit. Siç njofton Ministria e Shëndetësisë, ka humbur jetën një 64-vjeçar nga Elbasani, një 65-vjeçar nga Tropoja, një 77-vjeçar nga Tirana dhe një 81-vjeçar nga Gramshi.
Përgjatë 24 orëve të fundit, në Shqipëri janë regjistruar 299 persona të infektuar me koronavirus dhe janë shëruar 106,
Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë u ka bërë apel qytetarëve që të vendosin maskën në ambiente të jashtme, të mbajnë distancën dhe higjienën.

MOTI

Të hënën parashikohet mot ipjeserisht me diell. Temperaturat do të levizin nga 4 deri 17 gradë Celsius. Mot i ngjashem edhe në Tiranë, me temperatura nga 12-22 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 17943.Të Shëruar: 15088. Të vdekur: 663

www.rtvarberia.com

Tri kanalet e RTV Arberia si dhe Radion mund te i ndiqni edhe ne www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *