Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas ngritjes rekorde të çmimeve. Sipas LDK-së, inflacioni në muajin prill ka arritur në nivele alarmante prej 11.2%, më e larta deri më tani.
“LDK, përveçse ka ngritur shqetësimet e saj në lidhje me krizën e papërballueshmërisë së çmimeve, ka ofruar edhe propozime konkrete në menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj krize, si: pako fiskale dhe ekonomike, heqjen e TVSH-së për produktet bazike si dhe reduktimin e akcizës dhe TVSH-së në naftë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e LDK-së, transmeton Indeksonline.
Reagimi i plotë i LDK-së:
VAZHDON KRIZA E ÇMIMEVE
VAZHDON INJORIMI I QEVERISË
Lidhja Demokratike e Kosovës, me shqetësim të thellë po e përcjell rritjen rekorde të çmimeve, e cila për çdo muaj po vazhdon të bëhet më e papërballueshme për qytetarin. Inflacioni në muajin prill ka arritur në nivele alarmante prej 11.2%, më e larta deri më tani.
LDK, përveçse ka ngritur shqetësimet e saj në lidhje me krizën e papërballueshmërisë së çmimeve, ka ofruar edhe propozime konkrete në menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj krize, si: pako fiskale dhe ekonomike, heqjen e TVSH-së për produktet bazike si dhe reduktimin e akcizës dhe TVSH-së në naftë. Përballë propozimeve tona, pushteti popullist ka zgjedhur injorimin e krizës, duke e bërë kështu Kosovën vendin e vetëm pa masë konkrete në zbutjen e papërballueshmërisë së qytetarëve tanë.
Paaftësia kushton. Çmimi i paaftësisë së popullistëve është ky inflacion rekord.