Sht. Nën 23rd, 2024

LDK reagon pas zgjedhjes së drejtorit të RTK-së: Tendencë për institucionalizimin e propagandës partiake

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zgjedhjes së Rilind Gërvallës drejtor i RTK-së, duke deklaruar se përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip të RTK-së, përbën kapje të plotë të transmetuesit publike.

LDK, gjithashtu, ka deklaruar se kjo përzgjedhje shpërfaq tendencën e pushtetit për ta institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike për informim.

“LDK ka përcjellë me vëmendje procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të kanalit në gjuhën shqipe të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës; në veçanti pas shqetësimeve të ngritura për politizim të përzgjedhjes nga organizata vendore e ndërkombëtare që nga shpallja e konkursit. Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit”, thuhet në reagim.

Informimi i pavarur publik, nga një institucion i financuar nga fondet publike, përbën bazën e një demokracie të shëndoshë dhe të qëndrueshme. RTK-ja, duhet të ketë rol thelbësor në informimin e pavarur dhe të drejtë të të gjithë qytetarëve të Kosovës; dhe ky rol ushtrohet kur pushtetet nuk përcaktojnë politikat editoriale të kanaleve informuese e nuk vendosin aktivistët e tyre partiak në krye të këtyre institucioneve”, thuhet tutje.

Sipas LDK-së, qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur.

“Kapja politike e tij është veçse vazhdimësi e politikave të këqija që kanë karakterizuar këtë institucion publik. Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë dhe do të ngrisë temën e kapjes së institucionit të televizionit publik, në Komisionin përkatës parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të reagimit.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *