Kosova duhet të pranohet në NATO, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, thotë një ligjvënës amerikan.
Në një letër dërguar presidentit amerikan Joe Biden dhe Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, Ritchie Torres, pohoi se Kosova është aleat besnik i SHBA’së dhe duhet t’i bashkohet NATO’s për të kundërshtuar ndikimin rus në rajon.
“Më 27 shkurt, Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, bëri thirrje për ‘pranim të përshpejtuar në NATO”. Për më tepër, më 3 mars, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën i bën thirrje qeverisë që të nis negociatat për anëtarësim në NATO”, shkroi Torres.
“Derisa Rusia vazhdon të sillet si një aktor irracional dhe Serbia forcon marrëdhëniet e saj me Rusinë, është kritike që ne të ndihmojmë aleatin tonë Kosovën për t’iu bashkuar NATO’s”, thotë ai.