Sht. Nën 16th, 2024

Lladrovci përkujton masakrat serbe në Poklek dhe Çikatovë: Ditë e rëndë për Drenasin dhe Kosovën!

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule me rastin e përvjetorit të masakrave serbe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.

Me këtë rast, ai në rrjetin social ka shkruar:

Ditë e rëndë për Drenasin dhe Kosovën, ditë kur gjenocidi serb mori hov për realizimin e veprave të tyre të kobshme kundër popullit tonë.

Homazhet e kësaj dite i filluam nga Krajkova, duke bërë homazhe dhe vendosëm buqetë me lule në Memorialin e dëshmorëve, për heroin e Kosovës, Sokol Elshani.

Sokoli ishte shembull trimërie e atdhedashurie për të gjithë neve që e kemi njohur dhe mbetet shembull për gjeneratat që do të vinë. Çlirimtarët si Sokoli janë themeli i palëkundur i atdheut tonë të lirë.

Homazhet i vazhduam në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër, bashkë me kryetarin Krasniqi dhe bashkëpunëtorët, ku përkujtuam familjet e ekzekutuara nga ushtria serbe që dëshmonin pafuqinë e vet ndaj vullnetit të popullit tonë për çlirim.

Përjetësisht në mendjet dhe zemrat tona pjesëtarët e Familjes Muqolli, Elshani, Caraku, Morina dhe dëshmorët tjerë të kombit që u masakruan vetëm pse ishin shqiptarë.

Në këtë ditë, barbarisht u vra edhe poeti, emblemë e poezisë për fëmijë, Ymer Elshani bashkë me nënën, bashkëshorten dhe katër djemtë.

Sakrifica e popullit tonë ishte e jashtëzakonshme, andaj, sot e gjithmonë do t’i kujtojmë me nderim dhe punojmë për jetësimin e idealeve të qytetarëve tanë për liri dhe shtet.

Deri sot, askush nuk u ballafaqua me drejtësinë për gjenocidin serb në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.

Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *