Pre. Nën 15th, 2024

Marrëveshja e Ohrit e përshpejton integrimin në BE – Abazi e Raci thonë se Serbisë i intereson edhe lidhje me Rusinë

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, pretendon se Rusia dhe Serbia po tentojnë ta shpallin Kosovën si projekt të dështuar ndërkombëtar. Abazi i tha Ekonomia Online se Serbia nuk është e interesuar që të integrohet në Bashkimin Evropian, pasi lidhja me federatën ruse është e thellë.

Por ndryshe nga Abazi, mendon njohësi i çështjeve politike, Gazmir Raci. Sipas tij, Serbia ka filluar punën në hapjen e kapitujve për anëtarësim dhe se marrëveshja e Ohrit e përshpejton integrimin në BE.

Abazi insiston se për shkak të këtyre lidhjeve Serbia nuk i ka vendosur sanksione deri më sot Rusisë dhe vazhdon ta konsiderojë atë partner strategjik.

“Unë mendoj që interesi i Rusisë dhe Serbisë është që ta shpallë Kosovën projekt të dështuar ndërkombëtar, me të gjitha format e mundshme ata do të provojnë të prolongojnë procese. Nuk e mendoj fare që Serbia është e interesuar me shkuar me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian, ky është një iluzion që është ushqyer gjithë andej, por Serbia dëshiron të mbetet partneri strategjik i Rusisë për Ballkanin, dhe ura lidhëse e botës sllave ndërmjet shteteve që janë pjesë e BE-së dhe Rusisë në anën tjetër. Kjo është arsyeja edhe përse nuk ia ka vendosur sanksione deri më sot”, u shpreh Abazi.

“Të gjitha bisedat, shkrimet, letrat që komunikohen ndërmjet Rusisë dhe Serbisë përfshirë edhe marrëveshjen e shtatorit të vitit të kaluar në OKB ndërmjet Rusisë dhe Serbisë, tregojnë qartë që kemi të bëjmë me një partneritet që realisht është duke e sfiduar intervenimin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovës, rrjedhimisht edhe në Bonjë Hercegovinë”, tha tutje Abazi.

Raci thotë Kosova është e interesuar për anëtarësim sa më të shpejt, duke mos përjashtuar edhe Serbinë që ka filluar punën në këtë drejtim.

Madje ai thotë se ka gjasa që në 10 vjetët e ardhshme të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian, raporton EO.

“Po marrëveshja e Ohrit dhe ajo e Brukselit, natyrisht se e përshpejtojnë rrugëtimin e Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian, kështu Kosova është shumë e përkushtuar për t’u anëtarësuar shpejt në BE, edhe aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat besoj se është në kuadër të asaj frymës shtetërore që janë duke u angazhuar të gjitha institucionet për me i plotësu kriteret në këtë fazë. Kriteret e Kopenhagës janë gjithashtu shumë të rëndësishme për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në mesin e tyre janë edhe fqinjësia e mirë, bashkëpunimi rajonal, paqja dhe ecja e përbashkët në iniciativa të ndryshme rajonale”.

“Serbia ka gjithashtu synim anëtarësimin në Bashkimin Evropian sepse ajo është duke negociuar disa elemente për t’u anëtarësuar edhe pse siç është raportuar se asnjë kapitull është mbyllur dhe asnjë kapitull i ri nuk është i hapur në kuadër të bisedimeve Bashkim Evropian-Serbi”.

“Ka disa diskutimeve në kuadër të iniciativës së Berlinit që janë më shumë në format e analizave të instituteve të ndryshme evropiane ku mund të pritet që ndoshta në 10 vjeçarin e ardhshëm, të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të bëhen anëtare e Bashkimit Evropian dhe nëse ka një qasje të tillë të përbashkët, unë mund mendoj që është një qasje më e mirë, për shkak të rrethanave dhe raporteve që kanë shtetet mes vete. Do duhej të trajtoheshin të gjitha së bashku sepse paramendojeni që Serbia të hynte para Kosovës, çfarë problemi mund të na shkaktonte Serbia kur ne do të mund të ishin afër anëtarësimit”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *