Die. Nën 24th, 2024

Masakra në Prekaz/ Pa rezultate edhe pas më shumë se tre vitesh nga hapja e hetimeve të PSRK-së

Në mars të këtij viti u bënë 25 vite nga masakra e Prekazit, ku u vranë dhe u masakruan 55 anëtarë të familjes së komandantit Adem Jashari.

Përkundër që janë mbushur 25 vite që nga masakra e Prekazit, ende nuk ka ndonjë rezultat nga hetimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të cilat kishin filluar para më shumë se tre vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ishte prokurorja Drita Hajdari, që si prokurore e PSRK-së kishte deklaruar se po nis hetimet për masakrën e Prekazit.

“Kam verifikuar nëse rasti është hapur nga EULEX-i apo UNMIK-u apo nga Tribunali i Hagës dhe pasi që kam kuptuar se nuk ka rast të hapur, kam vendosur për hapjen e hetimit me qëllim të zbardhjes së këtij rasti dhe të përgjegjësisë penale për krimet e luftës në rastin konkret”, ishte deklarimi prokurores Hajdari për medie.

Sipas saj, hetimet kishin filluar në vitin 2019, pra 21 vite pas ngjarjeve të Prekazit. E njëjta, për medie kishte deklaruar se e kanë hapur hetimin preliminar dhe se tashmë ishin duke grumbulluar prova.

Por, edhe kur kanë kaluar më shumë se tre vite që kur prokurorja Hajdari kishte deklaruar që kanë filluar hetimet preliminare për këtë rast, prokurorja ende nuk ka njoftuar nëse është ngritur ndonjë aktakuzë për këtë rast.

“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar informata lidhur me këtë rast nga PSRK-ja dhe vetë prokurorja Hajdari, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje, përkundër që prokurorja Hajdari edhe është kontaktuar përmes telefonit disa herë për ta pyetur për statusin e këtij rasti dhe rezultatet e arritura deri më tani të hetimeve.

Gjithashtu, nga informatat të cilat i posedon “Betimi për Drejtësi”, ky rast tashmë ka kaluar tek, prokurori special, Valdet Gashi. Ky i fundit, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar se ky rast i është ndarë atij, mirëpo nuk ka pranuar të përgjigjet përmes telefonit, duke kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim.

“Betimi për Drejtësi”, i ka dërguar pyetjet me shkrim tek prokurori Gashi, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk është pranuar asnjë përgjigje me shkrim.

Ndryshe, gjatë vitit 2016, PSRK, kishte themeluar një Departament të Posaçëm për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës nga prokurorët vendorë.

Para themelimit të këtij Departamenti, rastet më herët ishin hetuar nga prokurorët e UNMIK-ut dhe EULEX-it, por që të dy këto misione kanë pasur sukses të “pamjaftueshëm” në trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Kujtojmë se janë një numër i konsiderueshëm i krimeve makabre të kryera ndaj qytetarëve kosovarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, për të cilat krime, drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje, ndër to edhe masakra ndaj familjes Jashari.

Ndaj, familjes Jashari ishin kryer tri sulme përgjatë viteve 1990-1998 nga forcat paramilitare serbe. Nga të dhënat, më 30 dhjetor 1997, ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari.

Ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kishin kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar, forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, familja Jashari i kishte rezistuar. Mirëpo, në këto luftime kishin mbetur të plagosura Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që kishte ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ndaj familjes Jashari, ua mori jetën 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Këtij sulmi të 5, 6 dhe 7 marsit i kishte mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5- 6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Kujtojmë se Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në raportin e publikuar në shtator të vitit 2020 me titull “Amnistia e Krimeve të Luftës në Kosovë”, për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës nga sistemi prokurorial dhe gjyqësor që nga paslufta, ka pasqyruar kronologjikisht hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Republikës së Kosovës ku ishin trajtuar edhe sukseset dhe dështimet e të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që kanë pasur dhe kanë kompetenca në fushën e hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës. /BetimipërDrejtësi

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *