Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës kanë nënshkruar sot tre memorandume të bashkëpunimit me shtetin e Portugalisë, në forumin e parë ekonomik mes dy vendeve.
Ky bashkëpunim do të jetë ndërmjet Odës Ekonomike të Kosovës dhe Asociacionit të Bizneseve të Minho-s, Memorandumi i Bashkëpunimi ndërmjet Rrjetit Ndërkombëtar të Dhomave të Tregtisë Portugeze (RÇPM) dhe Odës Ekonomike të Kosovës si dhe Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Studimeve Ekzekutive ISCTE dhe Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT).
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se mbështetja e Portugalisë në fusha ndërkombëtare ka qenë shumë e rëndësishme dhe se Kosova do të jetë gjithmonë partnere e besueshme për Portugalinë.
Gërvalla, ka shtuar se Kosova gjatë 2023-tës ka shënuar rritje ekonomike më 9.7 miliardë euro dhe pritet që të arrijë në 10.5 miliardë euro deri në vitin 2025.
“Kosova është vendosur si një partner i besueshëm në rajon, veçanërisht përmes përpjekjeve të saj në sundimin e ligjit, transparencës dhe qeverisjes së mirë. Këto përparime janë njohur ndërkombëtarisht me Kosovën duke u renditur si një nga shtetet demokratike me përparimin më të shpejtë në mbarë botën. Në vitin 2023 Kosova shënoi një rritje ekonomike mbresëlënëse prej 3.5 për qind që i atribuohet kushteve të qëndrueshme makroekonomike dhe rritjes së eksporteve. PBB-ja (Prodhimi i Brendshëm Bruto) jonë u rrit nga 8.9 miliardë euro në 2022 në 9.7 miliardë euro në 2023 dhe parashikohet të arrijë në 10.5 miliardë euro deri në vitin 2025. Inflacioni u ul nga 11.6 për qind në 2022 në 4.9 për qind në 2023 dhe pritet të bjerë më tej këtë vit në 3.5 për qind, duke krijuar një mjedis ekonomik të qëndrueshëm, tërheqës për investitorët. Shkëmbimi tregtar ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë është rritur me një vëllim tregtar që i ka kaluar 566,000 euro në vitin 2023. Portugalia ishte një nga vendet e para që e njohu pavarësinë tonë dhe që nga ajo kohë na ka mbështetur në shumë momente vendimtare, me të gjitha anëtarësimet në organizata ndërkombëtare që Kosova ka qenë e suksesshme ndër vite. Kosova do të jetë gjithmonë një partner i besueshëm dhe mbështetës për Portugalinë”, ka thënë Gërvalla.
Ndërsa, Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujveci ka shtuar se themelet parlamentare mes Kosovës dhe Portugalisë veçse janë vendosur.
“Ky forum i parë dypalësh midis vendeve tona shënon një hap të rëndësishëm domethënës në forcimin e lidhjeve tona ekonomike midis ekonomive dhe njerëzve tanë. Ceremonia e sotme shënon një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë. Në nivel parlamentar tashmë kemi krijuar një marrëdhënie më të fortë përmes grupit parlamentar të miqësisë së Kosovës dhe Portugalisë dhe presim me padurim grupin e ri të miqësisë dhe takimin me ta. Kjo është një dëshmi e dëshirës së madhe të Kosovës dhe Portugalisë për të avancuar marrëdhëniet tona të shkëlqyera dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe partneritetin tonë dypalësh”, ka vijuar Bogujevci.
Gjithashtu, Nënkryetari i Kuvendit të Portugalisë, Marcos Perestrello është shprehur se plagët e luftës janë ato të cilat kanë bashkuar këto dy shtete.
Ai shtoi se ky forum ekonomik është mundësuar fal vullnetit të shumë sipërmarrësve nga Kosova e Portugalia që do mbeten si shpirti i miqësisë mes dy vendeve.
“Lufta krijon miqësi të forta, lidhje të pathyeshme që koha i konsolidon dhe nuk mund të na bëjë t’i harrojmë…Udhëtuam në katër anët e botës, por vëmendja jonë nuk është kthyer kurrë në këtë zonë të Evropës, në Ballkan, të cilat janë kaq afër dhe që janë kaq larg vëmendjes sonë. Lufta e fundit në Kosovë solli në këtë vend një kontingjent ushtarak portugez, një forcë paqeruajtëse që për 20 vjet përfshinte më shumë se 7000 burra dhe gra portugeze, të cilët e morën këtë vend në zemër…Kjo është ajo që po bëhet sot këtu, në këtë Forum ekonomik, e mundur vetëm falë vendosmërisë së ambasadorit…dhe vullnetit të kaq shumë sipërmarrësve portugez dhe kosovarë të cilët do të mbeten si shpirti i kësaj miqësie të bukur mes dy vendeve tona”, ka theksuar ai.
E për fund, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka shtuar se kjo ofron një mundësi për të zgjeruar rrjetin e partneritetit, teksa shtoi se ky forum është një fillim premtues.
“Shënon një moment të rëndësishëm, pasi për herë të parë, ne presim një delegacion të misionit kaq të madh të bizneseve portugeze që eksplorojnë shumë mundësi mes mundësive Kosova ka për të ofruar. Kjo ngjarje nuk është vetëm një vizitë inauguruese, por një fillim premtues…20:43 Kjo na ofron një mundësi për të zgjeruar rrjetin tonë të partneritetit”, ka shtuar Rafuna