Die. Nën 24th, 2024

Mbledhja e Qeverisë, këto janë vendimet që u morën sot

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 200’të, ku ka miratuar disa projektligje, vendime e kërkesa.

Më poshtë gjeni të gjitha vendimet:

– Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZhKE) për Projektin “Banimi Social Adekuat”. Marrëveshja e Kredisë kap vlerën totale prej 25 milionë euro. Objektivi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i sistemit të menaxhimit të banimit social në Kosovë, dhe ngritja e numrit të njësive të banimit social në vend.

– Dhënë mendimin e saj lidhur me Nismën legjislative për “Projektligjin për Kripto- Asetet”. Përtej komenteve specifike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qeveria e Republikës së Kosovës, konstaton që Projektligji i tillë është i nevojshëm, i domosdoshëm për të harmonizuar këtë sferë të ndjeshme me legjislacionin e BE-së, dhe në dritë të kësaj, i rekomandon Kuvendit t’ju përmbahet parimeve të BE-së në kuptim të licencimit, mbrojtjes së konsumatorëve e parandalimit të abuzimit të tregut në këtë fushë.

– Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për Infermierë, Kirurgë, Veterinarë, Farmacistë dhe Mami në Kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë të Lirë të Evropës Qendrore. Qëllimi i këtij Projektligji është ratifikimi i marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, kirurgëve veterinarë, farmacistëve dhe mamive të arritur në tetor të vitit të kaluar. Kjo marrëveshje është arritur në Proces të Berlinit në mes të Gjashtë Shteteve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë.

– Aprovuar shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, Segmenti Dollc-Ramun. Ky vendim është për pjesën në vazhdim të rrugës.

– Aprovuar shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të parcelave Nr.1504-16 dhe 1504-17 dhe Objektit/Ndërtesës ish prona shoqërore ‘’Pallati i Shtypit – Nderm. Inf. Botuese”, për nevoja të Depos Qendrore të Barnave dhe akomodim të administratës së Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë ka konsideruar se funksionalizimi i kësaj hapësire, pra e Depos Qendrore do t’i shërbejë për deponim të barnave dhe ruajtjen e produkteve e pajisjeve medicinale. Gjithashtu kanë planifikuar që një pjesë të objektit ta shfrytëzojnë për transferim të një pjese të administratës së Ministrisë së Shëndetësisë.

– Themeluar Parkun Industrial dhe Teknologjik me emërtimin Park i Përgjithshëm në Komunën e Podujevës më kohëzgjatje prej 99 vjet. Komuna e Podujevës ka adresuar kërkesën për krijimin e Parkut Industrial. Pas vlerësimeve nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka sjellë vendimin për themelimin e tij. Më këtë Park Industrial, krijohet ambienti fizik me infrastrukturë përcjellëse për bizneset vendore dhe ndërkombëtare; ndikojmë në tërheqjen e investimeve të reja; zgjerohen kapacitetet e ndërmarrjeve industriale ekzistuese; ofrohen mundësi të reja për qasje në tregun e punës, si dhe ndikojmë në rritjen e prodhimit e konsumit vendor. Pronat e paluajtshme më të cilat themelohet Parku industrial dhe teknologjik në vendin e quajtur Livadicë, Komuna e Podujevës është e regjistruar në emër të komunës së Podujevës dhe është në sipërfaqe prej 298 314 m2.

– Ndryshuar dhe plotësuar vlerën e shpenzimeve të transportit detar dhe kontejnerëve në Shtojcën 2. të Udhëzimit Administrativ Nr.06\2015 për Përcaktimin e Kostos së Shpenzimeve të Transportit të Mallrave të Importuara, konform listës së çmimeve të përditësuara. Dogana e Kosovës, gjatë vlerësimit, analizës, hulumtimeve dhe përcjelljes së trendit të lëvizjes së çmimeve sa i përket shpenzimeve të transportit detar, për shkak të krizës në Detin e Kuq/ kanali i Suezit ka vërejtur ndryshim në ngritje të çmimeve sidomos atyre nga Azia. Me qëllim të ndjekjes dhe harmonizimit të çmimeve të transportit detar, Dogana e Kosovës ka rekomanduar rishikimin e shpenzimeve të transportit detar me kontejnerë, duke qenë se janë vërejtur ndryshime në ngritje të çmimeve.

– Miratuar vendimin me të cilin i rekomandohet Presidentes së Republikës së Kosovës që ta autorizojë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit Saudit për Zhvillim për Projektin e Magjistrales Prishtinë – Mitrovicë. Qeveria e Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka negociuar një marrëveshje të kredisë me Fondin Saudit për Zhvillim për projektin e Magjistrales Prishtinë – Mitrovicë. Shuma totale kapë shifrën e afro 17 milionë euro, nga të cilat rreth 13 milionë euro janë kredi e marrë nga Fondi Saudit për Zhvillim dhe 4 milionë euro janë kontribut i Qeverisë sonë. Qëllimi i këtij projekti është lidhja e kryeqytetit me qytetet e Vushtrrisë dhe Mitrovicës, kurse zbatimi do të bëhet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

– Miratuar vendimin me të cilin i rekomandohet Presidentes së Republikës së Kosovës që ta autorizojë Zëvendëskryeministrin e Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, për nënshkrimin e amendamentimit Nr. 2. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2016

– Ndarë 10 milionë euro për zbatimin e Masës 2.2 – Mbështetje bizneseve për qasje në financa të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

– Miratuar Koncept-dokumentin për fushën e Transportit Tokësor të Mallrave të Rrezikshme. Për shkak të mangësive të identifikuara në legjislacionin aktual, dhe për shkak të vështirësive që janë hasur në terren, ky koncept-dokument propozon mundësinë e plotësim ndryshimit të legjislacionit ekzistues.

– Miratuar Koncept-dokumentin për fushën e Zejtarisë. Sipas propozimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me koncept dokumentin për fushën e zejtarisë, gjegjësisht ligji i ri do t’i shërbejë parimit të promovimit të rritjes ekonomike të qëndrueshme. Me këtë koncept-dokument do të ketë ndikim pozitiv në sektorin e ndërmarrjeve. Kjo përfshinë edhe aftësimet profesionale, por edhe mundësinë e zhvillimit të bizneseve të sektorit të zejtarisë, duke mbështetur prodhimin dhe ofrimin e shërbimeve në këtë fushë.

– Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 05/24, të datës 14 gusht 2020. Ky plotësim-ndryshim po bëhet për Riorganizimin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime. Jemi të përkushtuar ndaj themelimit të mekanizmit për dialog publiko-privat, duke përfshirë të gjithë akterët që mund dhe kanë detyrë të kontribuojnë ndaj zhvillimit ekonomik në Republikën e Kosovës. Përballë Agjencisë për Investime dhe Eksport që Qeveria synon të themelojë në Zyrën e Kryeministrit, ky Këshill do jetë ndër mjetet esenciale për ndërtim të dialogut të domosdoshëm për avancim të ekonomisë tonë.

– Ndarë 200 mijë euro për Zyrën e Kryeministrit, përkatësisht për nevojat e Zyrës së Ekspertizës. Kjo zyre do të lehtësojë angazhimin efikas të ekspertëve për projekte në fusha të ndryshme. Përveç këtij përfitimi të menjëhershëm, financimi fillestar i caktuar për këtë zyrë do të shënojë fillimin e një njësie të qëndrueshme. Kjo njësi do të shërbejë si burim për sigurimin e ekspertizës për Qeverinë tonë, duke rritur kapacitetet institucionale për planifikimin dhe zbatimin efikas të projekteve.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *