Sht. Nën 23rd, 2024

ME-ja dhe MMPHI-ja nënshkruajnë marrëveshje me MCA-Kosova, për energji të pastër

Një hap i rëndësishëm në peizazhin energjetik të Kosovës është shënuar, pasi u nënshkruan marrëveshjet kyçe ndërmjet Qeverisë dhe MCA-Kosova.

Ministria e Ekonomisë nënshkroi Marrëveshjen e Entit Zbatues (IEA) me MCA-Kosova për Aktivitetin Multifunksional të Ruajtjes së Energjisë (MFES), ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me (Millenium Challenge Acount – Kosova) MCA-Kosova për Energjinë dhe Aktivitetin e Mbështetjes së Politikave Klimatike në kuadër të Programit Kompakt.

Këto marrëveshje janë thelbësore për zbatimin e suksesshëm të aktiviteteve të Kompaktit, të cilat janë komponentë integrale të strategjisë së Kosovës për rritjen e sigurisë energjetike dhe kalimin në burime më të pastra të energjisë.

“Pothuajse 2 milionë njerëz do të përfitojnë nga Programi Kompakt, investim ky në energji, më i madhi në 50 vitet e fundit. Deri në përfundim, Kosova pritet të ketë më së shumti ruajtje të baterive për kokë banori në botë”, tha Florina Duli–Sefaj, kryeshefe ekzekutive e MCA-Kosova.

Në mënyrë të veçantë, aktiviteti i MFES-it synon të mbështesë sigurinë energjetike të Kosovës dhe tranzicionin në një të ardhme me energji më të pastër, duke përdorur sistemet e ruajtjes së energjisë për rezerva, duke siguruar disponueshmërinë e sistemeve të magazinimit dhe duke reduktuar kostot për të siguruar energji adekuate për Kosovën.

“Programi është hartuar dhe negociuar në një mënyrë që e vendos pronësinë e shtetit në qendër, një vlerë thelbësore e MCC-së që ne e vlerësojmë shumë. Ne jemi të përkushtuar që ta implementojmë programin me sukses dhe në kohë, e që Kosova të merret si shembull i suksesit kur flitet për programet e MCC-së”, ka theksuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministri Liburn Aliu theksoi se bashkë me Ministrinë e Ekonomisë dhe MCC-në, po fillojmë bashkëpunimin për një qasje sistematike për llogaritjen e gazrave serrë, kështu për të ndihmuar për Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe sektorin e tyre të ri për inventarin e GS.

“Gjithashtu, do të ketë ndihmë për Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, për të trajnuar dhe rritur kapacitetet e stafit përkatës, për të kuptuar më mirë teknologjitë e ruajtjes së baterive dhe mënyrën e trajtimit të anës së vlerësimit të ndikimit mjedisor të këtyre projekteve”, ka pohuar Aliu.

Të dyja ministritë po shërbejnë si partnerë qeveritarë në zbatimin e asistencës teknike të financuar nga Kompakti.

Marrëveshja e Entit Zbatues dhe Memorandumi i Mirëkuptimit janë pjesë e Programit Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Programi Kompakt MCC prej 202 milionë dollarësh, së bashku me një kontribut prej 34.6 milionë dollarësh nga Qeveria e Kosovës, e çon totalin në 236.6 milionë dollarë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *