Memli Krasniqi i ka propozuar poashtu presidentes Osmani datën 26 janar si datë ideale për mbajtjen e zgjedhjeve.
Sipas kreut të PDK-së, PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date.
“Sot, në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme.
Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje.
PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian.
PDK, sikur në secilën periudhë të rëndësishme të vendit tonë, do jetë aty për të dhënë kontributin e saj për shtetin dhe qytetarët. E, në zgjedhjet e reja nacionale, do të jetë aty edhe me platformën, kandidatin për kryeministër dhe listën më të mirë zgjedhore, për t’u ofruar qytetarëve alternativën që u ka munguar në katër vitet e fundit” thuhet në njoftimin e Memli Krasniqit