Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një takim të përbashkët me anëtarët e Kryesisë dhe deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së, kanë diskutuar për shumë tema të interesit qytetar, shtetëror e partiak.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi është shprehur se zhvillimet politike në vend, rajon dhe Evropë, situata e sigurisë, kriza ekonomike, shqetësimet e qytetarëve në raport me rritjen e çmimeve të produkteve, janë tema që duhet të trajtohen seriozisht dhe me prioritet.
“Bashkë folëm edhe për përgatitjet rreth themelimit të Kabinetit të Qeverisjes së Mirë, i cili do të finalizohet së shpejti. Partia Demokratike e Kosovës, si lidere e opozitës në Kosovë, mbetet e përkushtuar që krahas reformave dhe angazhimit të bazuar në kompetencë, të ofrojë alternativa të mirëfillta qeverisëse e transformuese për vendin.”, shkruan Krasniqi.